Natasha Lako: Korça nuk u drodh sot që iku Piro Mani, por ditën kur ai erdhi

Të shumtë janë ata që shkruan me hidhërim për ndarjen nga jeta të artistit të madh shqiptar Piro Mani. Natasha Lako, skenaristja e një sërë filmash shqiptarë, në mesazhin e saj nuk shkruan për sot, ditën që artisti u nda nga jeta, por ditën që ai shkoi në Korçë.

“Korça nuk u drodh sot, që iku Piro Mani. U trondit më shumë me mbërritjen e tij, neper rrugët e kalldrëmta. E ndjeu se po ndodhte diçka ne trupin e saj. Në rrugë ndjehej zëri i tij, gjesti i tij, premtimi i tij për të zgjuar një qytet të tërë. Dhe bashkë me të vetë Korça të ngjitej në skenë dhe Piro Mani të qe spektatori. Në premiera mund ta shihje duke u përkulur në shenje nderimi karshi artit. Ndoshta edhe njeriut, nuk e di.

Po ai i mësoi njerëzit që teatri të bëhej pjesë e jetës së tyre. Qyteti sa një grusht u zmadhua nëpërmjet asaj skene. Sa vajza kanë rënë në dashuri, nëpërmjet dashurisë së tij skenike. Mund të kem qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur u vu në skenë “Nata e dymbëdhjetë” dhe ai solli në qytetin tim të lindjes Shekspirin.

Natasha Lako: Korça nuk u drodh sot që iku Piro Mani, por ditën

Nuk flas për dramën “Pamje nga ura”, por për kumbimin e emrit Artur Miller. Të kaloje pubertetin nëpërmjet dramave dhe komedive te tilla, ishte mrekullia vetë. Duhet të ktheje kokën andej nga kalonte Piro Mani. Por nuk e shihje asgjëkund.

Qytet i dashur ti sot nuk e di se çfarë i dha ky njeri trupit tënd. Sot, kur dëgjova lajmin e ikjes se tij përfundimtare,rastësisht isha ne Korçë. Dhe nuk dija nga çfarë anë ta ktheja kokën.

Ngushëllime Pavlinës së dashur së parës dhe pastaj qytetit tim ku emri shpresoj t’i shënohet nga e para”, shkruan zonja Lako..

Rreth admin