Vasillaq Kolevica, krenaria e Korçës/ Sekretet e mjeshtrit të qeramikës

Korça, dikur ka qenë një nga qytetet që ka patur shumë ustallarë qeramike, por si për ironi të fatit, krenaria e vetme e saj ka mbetur Vasillaq Kolevica.

E gjithë Korça e njeh Vasillaqin, dhe nëse pyet qytetarët korçarë për të, flasin me shumë respekt e dashamirësi pasi gjithë jetën e tij ai i’a ka kushtuar këtij profesioni që dita ditës po e humbet identitetin dhe vlerën.

Kolevica ka atelienë e tij, të ngritur me shumë mundime, e cila gjendet rrugës për në fshatin Drenovë, e nëse dikush nuk e di saktë adresën mund ta njohë menjëherë nga dera e madhe prej hekuri dhe punime të nxjerra në oborr.

Që në pamje të parë të jep idenë e një ndërtese të madhe por është e paimagjinueshme të shohësh mijëra punime që ka brenda saj.

Vasillaqi na priti me shumë kënaqësi në “perandorinë” e tij, që e ka krijuar vetëm me dy duar, baltën dhe një makineri të thjeshtë që e punon atë.

Fillimisht sapo hyjmë brenda ndërtesës ndeshemi me një sërë punimesh që kanë mbuluar vetëm paradhomën, punime balti të varura në mure dhe ato të vendosura në të gjithë ambjentin, por kjo paradhomë është vetëm një pjesë e vogël e gjithë ndërtesës së madhe që të mahnit kur hyn më tej brenda saj.

Janë plot 1300 m2 studio, që Vasillaqi e konsideron perandorinë e tij. Dhe ka të drejtë që e ka emëruar ashtu, pasi brenda saj gjenden qindra objekte të punuara deri në detaj, me ngjyra të shumëllojshme e me forma të ndryshme që paraqesin më së miri artin e veçantë të qeramikës.

Prej thuajse 50 vitesh, Kolevica ja ka kushtuar gjithë jetën e tij pasionit për të krijuar objekte qeramike, e ndër të tjera ai shprehet :

“Njeriu përpara se të artikulonte fjalën e parë, përpunoi baltën dhe poqi qeramikën. Pra, më e rëndësishme është nevoja për t’u ushqyer së sa ajo për të folur. Unë këtë profesion fillimisht nuk e kam patur me shumë qejf, por ka qënë babai im ai që më ka shtyrë t’a mësoj si zanat dhe gjithmonë më thoshte se arti nuk bëhet vetëm me pikturë por edhe me baltë, hekur, dru, çdo material mund ta kthesh në art. Që prej kësaj fjale të tij u përqëndrova tek zanati i punimit të baltës. U zhyta në baltë, ajo më hyri në gjak dhe gjithë jeta ime eci me baltën”, shprehet ai.

Padyshim që të gjithë do të mendonim se ku e ka personifikuar kaq mirë zanatin Vasillaqi, dhe gjëja e parë që ai vë në dukje është pikërisht historia e fshatit Bradvicë.

“Bradvica është fshati i parë ku në çdo familje kishte një anëtar që ishte poçar. Në stinën e verës ata bënin poçe, ndërsa në dimër bënin qymyre.

I gjithë fshati kishte njerëz të kulturuar, të cilët kishin “rrahur” kurbetin, dhe unë pata fatin e madh që punova me këta njerëz.

Ndonëse ishin të moshuar, ata më mësuan të mbaja veten në lëvizje, duke zhvilluar çdo ditë e më shumë aftësitë e mia . Fillimisht rrija pranë tyre, e më pas fillova e unë të ndihmoja duke krijuar objekte të vogla derisa arrita këtu ku jam sot.

Nuk e harroj fjalën e njërit prej poçarëve të vjetër, i cili më thoshte “Puno sot për zanatin se nesër punon zanati për ty”, tregon më tej ai.

Arti i baltës ka vështirësitë e tij, si çdo lloj zanati tjetër që mund të zgjedhësh në jetë, ndërsa merr jo pak kohë për të krijuar një objekt.

Një vazo e vogël është më e thjeshta që mund të arrihet në vetëm 5 minuta, por ka edhe punime që zgjasin për disa muaj, shembull këtu mund të përmendim vazo të mëdha që do të duhet herë pas here t’u vendosësh elementë shtesë, duke pritur të thahet balta, e kështu me rradhë.

Pasi e pyesim Vasillaqin nëse ka ndonjë punim të tij të preferuar që e veçon nga të tjerat ai përgjigjet :
“Nuk kam asnjë punim të preferuar, i kam të gjitha njësoj sepse të gjitha kanë dalë nga duart e mia. Nuk mundem ti ndaj, janë si puna e fëmijëve që prindi i do të gjithë njësoj.

Megjithatë jam përpjekur që me profesionin e poçarit të bëj art, dhe them se ja kam arritur. Jetës asnjëherë nuk i dihet, jam trashëgimtar i një profesioni të lashtë sa njerëzimi dhe ja di për faleminderit zotit që më ka futur në këtë rrugë”, ka treguar Kolevica.


Kolevica ka bërë disa ekspozita në qytetin e Korçës, që kanë sjellë përshtypje shumë të mira në qytetarët artdashës por edhe tek vizitorët që nuk humbin rast të shkojnë drejt studios së tij për të parë nga afër punimet e mrekullueshme.

Gjatë fundjavave nuk mungojnë as turistët vendas e të huaj në studion e Kolevicës, por një rast ai nuk mundet ta harrojë kurrë.
“Më kujtohet si sot një ditë dimri, ku temperaturat ishin nën 0 dhe bënte shumë ftohtë, një i moshuar drejt 70 vjeçar, i ardhur nga Brukseli donte të më takonte dhe të punonte bashkë me mua baltën.

Ndonëse ishte shumë ftohtë, ndeza zjarr tek vendi ku punoj dhe ky i moshuar ka qëndruar rreth 3 orë duke punuar në torno (pajisja që i jepet formë baltës).

Turistët e huaj vijnë të rekomanduar nga ambasadat dhe të njohurit e tyre, ndërsa turistët vendas gjatë fundjavave janë më të shumtë. Të gjithë më falenderojnë që e mbaj këtë zanat gjallë, pasi kënaqësinë që marrin e kanë të papërshkrueshme”, shprehet ai.

Vasillaq Kolevica ka menduar që këtë zanat t’ua trashëgojë dy vajzave të tij, Anjezës dhe Anxhelës të cilat fillimisht kanë mësuar nga babai i tyre e më pas kanë studiuar për ta perfeksionuar atë shkruan CNA.al

E vetmja kërkesë e tij lidhur me artin e qeramikës, duke parë se vitet e fundit të rinjtë nuk i japin rëndësinë e duhur, është që të integrohet si lëndë në kurrikulën e arsimit profesional.

Nëse nuk integrohet si lëndë mësimore, ky lloj zanati humbet sepse identiteti kulturor i një vendi matet pikërisht me llojet e profesioneve që lidhen me baltën, gurin, drurin, hekurin e shumë të tjera.

Rreth alb ko