REPORTAZH – MIA: Korça perla e fshehur në juglindje të Shqipërisë

 E quajnë qyteti i serenatave, qyteti i dashurisë, qyteti i artit, qyteti i shkollës së parë shqipe, qyteti i birrës, Parisi i Vogël dhe po ta shohësh nga afër, gjen plot cilësi të tjera që të ftojnë ta vizitosh sërish Korçën, shkruan Fatime Fazliji për agjencinë maqedonase të lajmeve, MIA.

Korça është një nga qendrat më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomike dhe Kulturore të Shqipërisë, që ndodhet në pjesën juglindore të vendit.

Korça është një nga qytetet më të bukura në Shqipëri me shumë muze, ndërtesa historike dhe kafene. Është një perlë e vërtetë e fshehur në juglindje të vendit, jo larg kufirit me MV.

Qyteti i Korçës është i lidhur me emrin e Iljaz bej Mirahorit, themeluesi i këtij qyteti, mëse 500 vite më parë, ndërkohë që deri më sot askush nuk e ka një ide të qartë se nga vjen emri i qytetit të Korçës.

Historia e saj nis me kthimin e Iljaz bej Mirahorit nga Stambolli në vitin 1484 dhe thuhej se ai ishte martuar me të bijën e sulltan Bajazitit II, pra ishte dhëndër sulltani dhe kjo nuk ishte pak.

Në takimin e shkurtër që kishim me zëvendëskryetaren e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli, ajo tha për MIA-n se të katërta stinët kanë bukurinë e vet për një udhëtim në Korçë.

”Korça në dimër ofron një panoramë të mrekullueshme të qytetit nën petkun e bardhë. Interesante do të ishte Korça edhe në stinën e vjeshtës, ku përveç se do të shijoni bukuritë e qytetit do të keni mundësinë të provoni frutat e mrekullueshme të zonës. Për të gjithë ata që preferojnë klimën malore, në verën e nxehtë, Korça dhe rrethinat e saj do t’ju ofrojnë freskinë, ajrin e pastër dhe një natyrë të mrekullueshme. Për më tepër Korça gjatë gjithë vitit ofron aktivitete të shumta kulturore, festa e panaire që do ta bënin akoma më të
këndshëm qëndrimin tuaj në këtë qytet. Shumë interesante janë edhe ditët e festave si Pashkët, Krishtlindjet, Karnavalet apo Festa e Birrës, që shënojnë edhe numrin më të madh të vizitorëve në qytet”, tha ajo.

Korça karakterizohet nga një klimë pjesërisht mesdhetare malore dhe pjesërisht kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperatura mesatare vjetore arrin deri në 10,6 gradë Celsius. Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Muaji më i lagësht është nëntori me reshje shiu mesatarisht 104 milimetra ndërsa sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin në 720 milimetra.

Serenatat korçare janë këngë lirike karakteristike, që këndohen të shoqëruara me kitarë. Me to Korça është bërë e famshme në të gjithë Shqipërinë. Serenatat shquhen për ëmbëlsinë e ndjenjave të holla dhe mënyrën origjinale se si i këndojnë dashurisë. Ato janë kënduar poshtë dritareve të vajzave çapkëne korçare, pranë kangjellave të oborreve me lule, dhe rreth e rrotull tavolinave mbushur me ushqime dhe pije tradicionale. Serenatat lulëzimin e tyre e patën në vitet ’30, megjithatë ato vazhdojnë të këndohen edhe sot në çdo familje korçare apo baret dhe restorantet me muzikë live.

Çfarë mund të vizitoni në Korçë?

Korça pa diskutim është e pasur me shumë muze, por në vazhdim le të njihemi
me disa prej tyre.

Shtëpia muze e piktorit Vangjush Mio është qendër e krijuar në vitin 1945 dhe e rinovuar në vitin 1995 dhe është pjesë e rëndësishme e qytetit të Korçës, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore e artistike si koncerte, ekspozita pikture, fotografike dhe të tjera. Është shpallur monument kulture dhe përmban rreth 40 piktura në vaj, peizazhe, natyra të qeta dhe shumë vizatime të cilat janë të shquara për stilin e tyre tepër të veçantë. Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri. Ai njihet më së shumti për peizazhet dhe
konsiderohet si peizazhisti më i mirë shqiptar i shekullit XX.

Tepër afër me këtë muze, ndodhet edhe Muzeu Arkeologjik i Korçës, i cili u krijua në vitin 1985 dhe për vlerat arkitektonike është shpallur monument kulture . Ky muze është ngritur në një godinë karakteristike të shekullit XIX dhe në të janë ekspozuar pasuritë arkeologjike të trevave juglindore të Shqipërisë.

Nuk mund të shkosh në Korçë dhe të mos vizitosh një prej muzeve më të bukura të saj, siç është Mësonjëtorja e parë, një godinë e cila është skalitur thellë në kujtesën e shqiptarëve për vet vlerat që ajo ka dhe për vet misionin e madh që mori për mësimin e gjuhës shqipe. U hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të perandorisë. Dita e hapjes së saj, nga shqiptarët festohet si Dita e mësuesit.

Pazari i Vjetër i Korçës me dyqanet karakteristike të dhurojnë një atmosferë magjike nën ritmin e kalldrëmit dhe të shtëpive karakteristike të kthyera tashmë në hotele dhe restorante për të pritur vizitorët e shumtë. Pazari është një nga pjesët më të bukura të qytetit dhe çdo njeri që e ka vizituar së paku një herë qytetin e Korçës nuk ka se si të mos ndalet te Pazari i Vjetër. Ndërtesat janë një ansambël arkitekturor, të cilat parcelizohen ndërmjet tyre nga rrugët e shtruara me kalldrëm. Objektet janë dykatëshe dhe shumica e tyre është me bodrum. Ndërtesat kanë gati një stil ndërtimi. Dritaret janë të gjata dhe të ngushta dhe të veshura me kangjella metalike. Lartësia mesatare e objekteve të Pazarit është rreth tetë metra. Këto detaje të shoqëruara bashkë me pritjen që të bëhet në
Korçë, krijojnë një vend prej të cilit është e vështirë të largohesh.

Mund ta vizitoni edhe Kullën e kuqe, e njohur edhe si Kulla panoramike e vendosur në fund të shëtitores, ku mund të merrni panoramat më të mira të qytetit nga lartësia e tij prej 33 metrash.

Gjithashtu, mund të shikoni edhe shfaqje teatrale të cilat zhvillohen te teatri “Andon Zako Çajupi”.

Midis pemëve të larta, natyrës së bukur dhe qetësisë ndodhet parku “Rinia”, i cili ndodhet në zemër të qytetit. Është krijuar 60 vite më parë në veriperëndim.

Në Korçë mund të vizitoni edhe godina fetare të besimit mysliman dhe ortodoks. Xhamia e Iljaz bej Mirahorit është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Korçës. Si faltorja e dytë më e vjetër islame në viset shqiptare dhe xhamia e parë me kube e ndërtuar në viset shqiptare. Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati I hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin  veriperëndimor të sallës ngrihej minareja, e cila u shemb prej tërmetit të 1961. Mori statusin monument kulture në vitin 1948.

Katedralja “Ringjallja e Krishtit” në Korçë është ndërtuar në vitin 1992 nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe i përket besimit ortodoks. Nga përmasat e saj cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë e pozicionuar në qendër të qytetit dhe më e madhja në Shqipëri. Katedralja “Ringjallja e Krishtit” karakterizohet nga një ndërtim prej betoni, përbëhet nga tre kate dhe zë një sipërfaqe prej 1800 metra katrorë. Ajo simbolizon rikthimin e praktikave fetare në një vend ku të gjitha fetë ishin ndaluar që nga viti 1967 deri në 1991.

Gjithashtu, në Korçë mund të vizitoni edhe Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Bibliotekën “Thimi Mitko”, Muzeun Oriental “Bratko”, Muzeun “Gjon Mili”, fabrikën e parë të prodhimit të birrës “Birra Korca” dhe shumë godina dhe monumente kulturore, historike dhe artistike.

“Birra Korça” është fabrika e parë e birrës shqiptare, e ndërtuar në vitin 1929. Projekti dhe ideja për këtë fabrikë erdhi nga investitori italian Umberto Umberti dhe Selim Mborja nga fshati Mborje i Korçës. “Birra Korça” u krijua me një kapital prej 950 000 frangash ari. Ndërtimi i fabrikës së birrës përfundoi në vitin 1943. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, fabrika u shtetëzua sipas ligjeve të qeverisë të asaj kohe. Fabrika prodhonte birrë bionde, birrë të zezë, ujë dhe kristale akulli. Nga pikëpamja arkitekturore, ndërtesa u mbajt në dizajnin e saj origjinal arkitekturor, pavarësisht nga linjat moderne teknologjike të blera së fundmi të vitit 2005, të importuara nga Republika Çeke.

Korça shquhet për gatime tradicionale e gjellë të shijshme. Është për t’u përmendur byreku ose lakrori me dy petë i pjekur në saç, gatimi i peshkut krap i cili gjendet në liqenin e Prespës, si dhe gatimi i kafshëve dhe shpendëve të egra. Gjellët karakteristike korçare janë petanik me fasule, lakror, përvëlak i ardhur, lakror me qumësht, petkat, kërnacka etj. Nuk mund të lini pa provuar dhe birrën e famshme të Korçës, të parën birrë në Shqipëri

I cilësuar si qyteti i festave, Korça e plotëson më së mirë kornizën e një qyteti ku festohet me art dhe kulturë. Festa e Birrës në Korçë është eventi më i madh festiv në Shqipëri. Mbi 100 mijë persona vizitojnë Festën e Birrës në pesë netët e organizimit të saj. Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë së Korçës. Festivali është nderuar me çmimin e turizmit nga Ministria e Turizmit të Shqipërisë në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon. Festa e Birrës, jo vetëm që është një segment i rëndësishëm për sa i përket tërheqjes së vizitorëve në rajon, por nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.


Rreth alb ko