Vdekshmëria foshnjore, Shqipëria është vendi me bilancin më negativ në kontinent

Në Shqipëri po lindin më pak bebe, ndërsa vdekshmëria foshnjore vijon të mbetet në nivele të larta e shqetësuese. Vetëm gjatë vitit të shkuar, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, humbën jetën 281 fëmijë pa mbushur moshën 1 vjeç, ndërsa marrë në rrafshin e 7 viteve të fundit, shifra shkon në 1871.

Thënë ndryshe, në vend përfundojnë në fatalitet 10 foshnjë për çdo 1 mijë lindje, raport ky që luhatet e rritet nga viti në vit. (grafik vdekshmëria foshnjore për çdo 1 mijë lindje në Shqipëri 2014-2020).

Për sa i përket gjinisë, bebet meshkuj janë më së shumti të rrezikuar për të humbur jetën pa mbushur moshën 1 vjeç. Po cilat janë arsyet kryesore që çojnë në vdekjen e foshnjave? “Ka rëndësi edhe mosha e nënës, trajtimi, ushqyerja, konsumimi i nikotinës, alkoolit, që çojnë në lindje të parakohshme”, thotë Entela Rexhepi, specialiste e gjinekologjisë.

Në Shqipëri, humbin jetën më shumë bebe se në çdo shtet të Rajonit. Në vend, raporti i fataliteteve për çdo 1 mijë lindje është 10, duke u ndjekur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Serbia e Mali Zi.

Në fakt, vendi ka vdekshmërinë foshnjore më të lartë në kontinent. Në Bashkimin Europian, mesatarja e vdekshmërisë foshnjore është në nivelin e 3.4 humbje jete për 1 mijë lindje, shifër kjo 3 herë më e ulët se në Shqipëri. Vdekshmëria foshnjore, një nga treguesit kyçë të matjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe gjendjes ekonomike e sociale të vendit.

Rreth alb ko