Skënderbeu hap merkaton, akord me mbrojtësin 33-vjeçar

Skënderbeu ka nisur të mendojë për merkaton e janarit menjëherë pas pushimeve të fundvitit. Korçarët kërkuan me çdo kusht afrime për të krijuar një ekip më konkurrues për pjesën e dytë të sezonit. Një gjë të tillë e pranoi publikisht edhe trajneri Migen Memelli, i cili në konferencën e fundit për shtyp kërkoi nga një afrim për çdo repart.

Në kushte të tilla duke parë kërkesat e shumta të trajnerit, bardhekuqtë kanë filluar pa humbur kohë me kontaktet e para. I pari në listën e dëshirave, që shumë shpejt mund të jetë lojtari më i ri i Skënderbeut është Erlis Frashëri.

Korçari, i cili sezonin e fundit luajti ne kampionatin e Kosovës me Drenicën, duket se ka zgjedhur të rikthehet në Korçë pas shume vitesh në “emigrim”.

Frashëri ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e largët 2008-2009 dhe më pas ka ndërruar shumë ambiente duke provuar të luajë me ekipe të ndryshme në elitën e futbollit shqiptar, ku veç të tjerash spikasin Teuta dhe Partizani.

Frashëri është një lojtar, që mbulon të gjithë fushën, megjithëse si pozicion të tij ka krahun e djathtë, ndërsa luan me lehtësi edhe në krahun e majtë duke u shndërruar në një xhol për Memellin.


Kontaktet e para janë vendosur tashmë dhe duket se një akord paraprak është arritur mes palëve, ndërsa mbetet vetëm zyrtarizimi, i cili do të ndodhë në ditët në vijim, kur edhe të jetë hapur zyrtarisht afati i merkatos së janarit raporton Panorama Sport.

Në fakt, Frashëri është kërkuar edhe sezonin e kaluar nga Skënderbeu, por pavarësisht se palët kishin dëshirën e mirë, konkretizimi i marrëveshjes nuk u arrit pasi mbërriti një ofertë nga Kosova, që ndryshoi gjithçka.

Rreth alb ko