Është identifikuar turisti belg që humbi jetën mbrëmjen e së hënës në Golem, pasi ra nga ballkoni i hotelit ku po kalonte pushimet.
Bëhet fjalë për Bertrand Thiébaut, 48 vjeç, një shef kuzhine dhe restaurator i njohur nga Tournai, në Belgjikë.
Ngjarja ndodhi më 21 shtator, rreth orës 20:00. Sipas informacionit paraprak të Policisë shqiptare, 48-vjeçari dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i hotelit dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Mediat belge raportojnë se Thiébaut ndodhej në Shqipëri për pushime dhe se lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar tronditje në Tournai.
Ai ishte në krye të restorantit “Les Tontons Trinqueurs”, ku së bashku me dy ortakë kishte ndërtuar gjatë viteve të fundit një identitet të fortë gastronomik, me fokus te produktet cilësore të zonës.
Bertrand Thiébaut njihej gjithashtu për karakterin e tij të gëzueshëm dhe marrëdhëniet e mira me komunitetin lokal, ndërsa ishte një figurë e njohur në skenën e restoranteve në Tournai.
48-vjeçari ishte bashkëshorti i Audrey Ronlez, kryeredaktore e edicionit të Wallonie Picarde të gazetës belge “L’Avenir”.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende një përfundim përfundimtar mbi dinamikën e ngjarjes dhe hetimet vijojnë.



