Partia Demokratike do të mbledhë pasditen e sotme Kryesinë e re, Sekretariatin e dalë nga zgjedhjet e muajit korrik, si dhe grupin parlamentar.
Mbledhja vjen vetëm një ditë pas zhvillimeve të forta që prekën drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, ku ndaj Vlora Hysenit u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra.
Në qendër të diskutimeve të demokratëve pritet të jetë pikërisht operacioni i SPAK, zhvillimet në SHISH dhe qëndrimi politik që opozita do të mbajë në vijim.
Një ditë më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, reagoi ashpër për çështjen, duke u ndalur te marrëdhënia që, sipas tij, Vlora Hyseni kishte me biznesmenin Ergys Agasi.
Berisha deklaroi se Hyseni dhe Agasi takoheshin rregullisht në Tiranë dhe pretendoi se kontaktet mes tyre ishin të shpeshta.
“E kam denoncuar që në atë kohë Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera. Por një gjë duhet ta dinë shqiptarët, SHISH, i cili për hir të së vërtetës paguhet dhe ka detyra të mbikëqyrë veprimtaritë e dyshimta të cilitdo, në rastin e drejtorit të vet ishte symbyllur komplet”, deklaroi Berisha.
Ai vijoi më tej:
“Në mënyrë të përsëritur kam denoncuar para jush dhe publikut se shërbimin informativ e kontrollonte Ergys Agasi. Tani, se sa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën, është një lokal aty afër shtëpisë time, të paktën dy herë në javë drekonin së bashku. Pra, nuk është se shkonin diku mbrapa Dajtit, jo jo, në mes të Tiranës i kishin të zakonshme drekat dhe darkat dy herë në javë me njëri-tjetrin.”
Sipas Berishës, zhvillimet e fundit ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si ka funksionuar SHISH dhe mbi marrëdhëniet e drejtuesve të institucionit me persona të përfshirë në hetime.
Pikërisht për këtë arsye, mbledhja e sotme pritet të përcaktojë edhe linjën politike që Partia Demokratike do të ndjekë pas aksionit të SPAK.
Demokratët pritet të diskutojnë për kërkesat institucionale, qëndrimin në Parlament dhe hapat e mëtejshëm politikë lidhur me zhvillimet në SHISH.



