Dy persona janë arrestuar në Kuçovë dhe Moravë, pasi dyshohet se tentonin të shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.
Operacioni policor i koduar “Perimetri” është zhvilluar në dy faza, pas hetimeve proaktive dhe kontrolleve të vazhdueshme me synim parandalimin e shpërndarjes së drogës pranë institucioneve arsimore.
Policia sekuestroi mbi 4 kilogramë Cannabis Sativa, një pjesë të ndarë në doza, si dhe një shumë parash dhe dy celularë.
Në pranga u vu shtetasi A. G., 46 vjeç, banues në Kuçovë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, sipas Policisë, u gjetën 3.95 kilogramë Cannabis Sativa, një pjesë e përgatitur në doza.
Hetuesit dyshojnë se lënda narkotike mbahej me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Kuçovë.
Në një tjetër fazë të operacionit u arrestua edhe G. Ç., 19 vjeç, banues në fshatin Moravë.
19-vjeçari u kap në flagrancë, ndërsa gjatë kontrollit personal dhe në banesën e tij u gjetën sasi dhe doza Cannabis Sativa.
Policia sekuestroi gjithashtu një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, Komisariati i Policisë Kuçovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



