Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur sot në orën 9:30 për të rishikuar praktikën gjyqësore mbi aplikimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Iniciativa u mor nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të zhvillohet e hapur për debatin juridik, ndërsa diskutimet që lidhen me hetimet paraprake do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Qëllimi kryesor është të garantohet një praktikë më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për kufizimin e lirisë personale.
Kjo është hera e parë që Kryetari i Gjykatës së Lartë ushtron kompetencën e tij sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale për ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar.

