Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pasi Partia Demokratike përjashtoi 2 mbështetësit e tij nga grupi i Këshillit Bashkiak Durrës.
Në një postim në rrjete sociale, Salianji shkruan se është e paimagjinueshme që në 2026-ën ekziston lidership me këtë mendësi, dhe përjashtimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve dhe sekretarit të degës Durrës, dy kontributorë dhe sakrifikues prej vitesh në parti, tregon depresionin dhe frikën.
Sipas Salianjit, ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjell humbjet e njëpasnjëshme të opozitës.
“Partia Demokratike nuk është pronë private. Është e demokratëve dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin”- thotë mes të tjerash Salianji.
Postimi i plotë:
Humbësat përjashtojnë fituesit.
Humbësat duan të zgjedhin votuesit e tyre. Ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjell humbjet e njëpasnjëshme të opozitës.
Në vend të kthehen tek themeli, tek vota për të nisur rrugën e fitores, përjashtojnë demokratët.
E paimagjinueshme që në vitin 2026 ekziston lidership me këtë mëndesi, përjashtimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve dhe sekretarit të degës Durrës, dy kontributorë dhe sakrifikues prej vitesh në parti, tregon depresionin dhe frikën!
Frika nga gara nuk është lidership!
Dy këshilltarët në Durrës u përjashtuan sepse mbështesin një ide: garën. Kjo nuk është forcë. Kjo është frikë. Partia Demokratike nuk është pronë private. Është e demokratëve dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!

