Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), përmes Drejtorisë së Inspektimit të Territorit dhe Planifikimit, në koordinim me Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), ka zhvilluar gjatë javës së kaluar 114 inspektime në fushën e ndërtimit, me fokus zbatimin e ligjshmërisë së lejeve dhe respektimin e standardeve të sigurisë teknike në kantiere.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektimet kanë pasur në fokus evidentimin e masave të marra për 27 elementë sigurie, mes të cilëve rrethimi i kantiereve, sinjalistika paralajmëruese, sigurimi teknik i tuneleve të kalimit për qytetarët në hapësirat pranë trotuareve, mbrojtja ndaj zjarrit si dhe krijimi i rrugëve të përkohshme të aksesit.
Subjektet që iu nënshtruan kontrollit ushtronin aktivitetin ndërtimor në territorin e bashkive Tiranë, Vlorë dhe Kavajë. Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë, nga drejtoritë rajonale të IKMT-së në qarqe janë kryer edhe 65 inspektime të tjera në zonat urbane, rurale dhe industriale.
Nga kontrollet e kryera, 105 subjekteve u janë lënë detyra për t’u përmbushur brenda një afati 10-ditor, pas të cilit do të kryhet rikontroll për verifikimin e zbatimit të masave të sigurisë teknike.
IKMT bëri të ditur se në rastet kur mangësitë e konstatuara nuk adresohen brenda afatit të përcaktuar, ndaj subjekteve do të merren masa ndëshkuese që variojnë nga gjobat administrative deri në bllokimin e kantierit.
IKMT thekson se, në bashkëpunim me AZHT dhe me inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit në bashki, do të vijojë inspektimet në të gjithë territorin e vendit, me qëllim garantimin e respektimit të standardeve të sigurisë dhe ligjshmërisë në sektorin e ndërtimit.

