Irani ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, në një vendim që vjen pas përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Ministri i Sportit i Iranit, Ahmad Donyamali, deklaroi se kombëtarja iraniane nuk do të marrë pjesë në turne, pas sulmeve ajrore që SHBA ndërmori së bashku me Izraelin kundër regjimit në Teheran.
Sipas tij, vendimi lidhet edhe me zhvillimet e fundit në vend, përfshirë vdekjen e liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei.
“Duke pasur parasysh se ky regjim i korruptuar ka vrarë liderin tonë, në asnjë rrethanë nuk mund të marrim pjesë në Kupën e Botës,” është shprehur ai.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në botën e sportit, pasi Irani ishte kualifikuar për Botërorin 2026, që do të organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika.
Nëse tërheqja konfirmohet zyrtarisht, pritet që FIFA të vendosë për një ekip tjetër që mund të zëvendësojë Iranin në turne.

