Besimtarët katolikë në Kosovë janë njoftuar mëngjesin e sotëm për vdekjen e parakohshme të famulltarit të Kishës Katolike “Shna Ndout”, Don Kelmend Spaqi. Meshtari, i cili ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare, njihej gjerësisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku shërbeu si mburojë për popullatën civile në zonën e Pejës.
Gjatë viteve 1998-1999, Don Kelmend Spaqi e shndërroi kishën e Gllogjanit në një strehë për qindra banorë shqiptarë që përndiqeshin nga forcat serbe. Ai doli personalisht para paramilitarëve serbë për të negociuar lirimin e civilëve, duke deklaruar se populli ishte i pafajshëm.
Në këtë kishë nuk u strehuan vetëm besimtarë katolikë, por edhe myslimanë të shumtë nga fshati dhe rrethina, për të cilët meshtari u bë garant i jetës në momentet më kritike të ofensivave.
Një nga veprimet që la gjurmë në kujtesën kolektive ishte vendimi i tij për t’u rënë kambanave të kishës për të njoftuar kohën e iftarit dhe syfyrit për bashkëkombësit myslimanë gjatë muajit të Ramazanit. Edhe pse u mor në pyetje nga forcat serbe për këto sinjale, ai arriti t’i shmangej rrezikut duke mbrojtur vëllezërit e tij të një gjaku. Kjo nismë mbetet një nga shembujt më unikë të solidaritetit ndërfetar në historinë e luftës në Kosovë.
Vdekja e tij ka ngjallur reagime të shumta nga krerët fetarë dhe politikë në vend, të cilët e kanë cilësuar si një humbje të madhe për kishën dhe atdheun. Ceremonia e varrimit të Don Kelmend Spaqit do të mbahet të hënën, në orën 11:00, në vendlindjen e tij në Velezh të Prizrenit.

