Thellohet bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë në Podujevë, ku numri i viktimave ka shkuar në tre.
Sipas raportimeve nga mediat në Kosovë, ka ndërruar jetë edhe 31-vjeçarja Ardita Gashi, e dyshuar si autore e ngjarjes, e cila nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht ndihmës mjekësore në spital.
Nga të dhënat paraprake, bëhet me dije se ajo fillimisht ka qëlluar me armë zjarri 45-vjeçarin Iliaz Brahimi, i cili dyshohet të ketë qenë në një lidhje me të. Më pas, ngjarja ka vijuar me plagosjen e rëndë të një 73-vjeçareje, e afërme e saj, e cila ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit në spital.
Pas këtyre veprimeve, 31-vjeçarja ka plagosur edhe veten dhe më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Sipas burimeve mediatike, mes 31-vjeçares dhe 45-vjeçarit dyshohet të ketë pasur një marrëdhënie, ndërsa motivi i plotë i ngjarjes mbetet ende i paqartë.
Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa arma e zjarrit dhe provat materiale janë sekuestruar nga autoritetet.

