Një ngjarje e rëndë ka tronditur Sooß gjatë festës së Pashkët, ku një grua 38-vjeçare me origjinë serbo-kosovare është gjetur e pajetë në kopshtin e banesës së saj.
Sipas raportimeve të mediave austriake, viktima kishte plagë të rënda në kokë, ndërsa dyshohet se është sulmuar me një mjet të fortë, që mund të ketë qenë një kaçavidë. Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë zjarri tip pistoletë 9 mm, e cila po analizohet nga autoritetet.
Policia ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar të dyshuarin kryesor, ish-bashkëshortin e viktimës, një 47-vjeçar me shtetësi austriake dhe origjinë nga Kosova. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme dhe jetonin të ndarë prej kohësh, por motivi i saktë i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Ndërkohë, është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Kjo tragjedi ka rikthyer në vëmendje fenomenin shqetësues të dhunës ndaj grave në Austria, veçanërisht gjatë periudhave festive, kur tensionet familjare shpesh përshkallëzohen. Autoritetet kanë bërë thirrje për denoncimin e rasteve dhe përdorimin e shërbimeve të ndihmës për viktimat.

