Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Majac në Podujevë mbrëmjen e së dielës, ku dy persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa autorja e dyshuar ka ndërruar jetë disa orë më vonë në spital.
Sipas informacioneve zyrtare nga autoritetet shëndetësore, 31-vjeçarja Ardita Gashi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda, pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nga raportimet paraprake, mësohet se fillimisht ajo ka qëlluar me armë zjarri një 45-vjeçar, Iliaz Brahimi, i cili dyshohet të ketë qenë në një marrëdhënie me të. Më pas, ngjarja ka vijuar me plagosjen fatale të një 73-vjeçareje, Miradije Gashi, e afërme e autores, përpara se 31-vjeçarja të plagoste edhe veten.
Të tre personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë humbur jetën, ndërsa rrethanat dhe motivet mbeten ende të paqarta.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

