Një operacion policor i koduar “Përshtatja” ka çuar në zbulimin e një ambienti të përshtatur për kultivimin e kanabisit në Shijak dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Policia, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Durrësit, identifikoi një magazinë në lagjen “Popullore”, e marrë me qira, e cila ishte transformuar në një “shtëpi bari”, e pajisur me sistem ndriçimi dhe ventilimi, si dhe e furnizuar me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 180 vazo, mbetje të dyshuara kanabisi, llamba, ventilatorë, pajisje ajrimi dhe mjete të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Dyshohet se bimët ishin prerë para ndërhyrjes së policisë.
Në pranga ranë katër shtetas, përfshirë edhe një punonjës të OSHEE-së, i cili akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk ka raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë. Një tjetër person është shpallur në kërkim si i përfshirë në këtë aktivitet.
Sipas hetimeve, ambienti ishte dhënë me qira dhe ishte përshtatur posaçërisht për kultivim kanabisi në bashkëpunim mes disa personave. Policia po vijon punën për kapjen e të shpallurit në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

