Ditën e premte, vendi ynë pritet të përfshihet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot kryesisht të vranët dhe intervale të shkurtra kthjellimesh.
Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonat veriperëndimore, reshjet parashikohen me intensitet mesatar deri të lartë, ndërsa herë pas here mund të shoqërohen me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë të jenë të pranishme, kryesisht me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Era do të fryjë nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet herë pas here, duke arritur shpejtësi deri në 14 m/s.
Ndërkohë, në det parashikohet valëzim i forcës 2-3 ballë.



