Shqipëria, një nga vendet më të korruptuara në Europë e më gjërë po mundohet të lërë pas një tronditje disa ditore dhe javore, shkaktuar nga qarkullimi në rrjet i disa videove ku shihen këngëtare apo figura të njohura të ekranit në momente private në shtratin e një kompozitori.
Këtu ku çdo gjë shoqërohet me transaksion, ku nuk mbaron dot një punë pa paguar, kur nuk merr dot një të drejtë pa dhënë diçka, ku nuk ka garë të ndershme askund, ku merita është shkelur me këmbë me kohë e me vakt, ku secili që del në mëngjes mendon çfarë do përfitojë sot, njerëzit shkulën flokët nga një tërmet i tillë që duket se lëkundi vlerat e forta ku ne u mbakemi.
Një nga treguesit më të mëdhenj të integritetit është të mos korruptohesh. Format e korrupsionit janë të larmishme. Joshja ka mjete të pafundme. Habia është se përse ne jemi gati të pranojmë rryshfetin, mitmarrjen, dhënien e marrjen në çdo formë, por dashkemi moral të dëlirë në raportet intime e personale mes artistëve fjala vjen.
Pse qenka i pranueshëm një zyrtar i lartë që merr para në këmbim të bërjes së asaj që e ka për detyrë, ndërsa e papranueshme nëse një artist merr apo jep një favor seksual.
Reagimi masiv ndaj atyre videove dhe kryqëzata etike ndaj personazheve, është në thelb një hipokrizi.
Një shoqëri që e ka humbur moralin në raportet korruptive në çdo drejtim, s’mund të pretendojë ta gjejë atë tek bensikëria në çift, apo tek sjellja hiperkorrekte në marrdhëniet seksuale.
Sigurisht asnjëra sjellje nuk është e hijshme, as për t’u vlerësuar. Por kur jemi kthyer në një komunitet që fut dorën në xhep për çdo gjë, s’ka se si të pretendojmë të jemi të pastër klinikisht në etikën adulte.
Korrupsioni material i zyrtarëve të shtetit është shumë më i dëmshëm për të gjithë e për vendin se sa korrupsioni moral i të rriturve.
Të shthururit mund të dëmtojnë veten e tyre, mund të shkaktojnë drama tek njerëzit që i rrethojnë, dhe kjo nuk është pak. Por të korruptuarit marrin në qafë një vend të tërë.
Editorial nga Albania Today/Pse u trondit një shoqëri e korruptuar nga shturja e disa artistëve?!
Publikuar më



