Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas përplasjeve mes studentëve dhe Policisë gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gjekmarkaj akuzoi qeverinë se iu përgjigj protestës me forcë dhe përçmim, ndërsa e cilësoi pamjen e studentit të lidhur te kangjellat e ministrisë si simbol të “Shqipërisë reale”.
“Policët që u thyen këmbët studentëve janë fytyra e vërtetë e kësaj qeverie! Studenti i lidhur te kangjellat e Ministrisë është fytyra e Shqipërisë reale”, shkroi ai.
Gjekmarkaj u bëri thirrje prindërve, pedagogëve dhe shoqërisë që të qëndrojnë në krah të studentëve, duke argumentuar se uniforma e shtetit nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve që protestojnë.
Protesta e studentëve u shoqërua me tensione dhe përplasje. Sipas raportimeve nga terreni, disa protestues hodhën sende dhe materiale të forta drejt godinës së Ministrisë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ndërhyri për shpërndarjen e turmës. Disa protestues u shoqëruan dhe u raportuan edhe efektivë policie të lënduar.
Në reagimin e tij, Gjekmarkaj e lidhi pakënaqësinë e studentëve me kostot e larta të jetesës, vështirësitë në punësim dhe mungesën e perspektivës, ndërsa kërkoi hetimin e përgjegjësve për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve.
“Mund t’u thyesh këmbët studentëve, por nuk mund t’ua thyesh dinjitetin”, shkroi ai, duke paralajmëruar se studentët do të vijojnë protestat.
Ndërkohë, studentët kanë paralajmëruar sërish tubime, ndërsa kërkesat e tyre lidhen me kushtet në universitete dhe konvikte, kostot e arsimit, punësimin dhe çështje më të gjera sociale e politike.



