Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka folur për efektivët e policisë që kanë mbetur të plagosur gjatë këtyre ditëve të protestave të dhunshme.
Sipas tij, në Tiranë dhe Shkodër janë 132 punonjës policie që janë sulmuar me vida, mjete piroteknike dhe lëndë plasëse.
“Gjatë tubimeve të dhunshme, policia e shtetit përdor procedurat standarde, në përputhje me kuadrin ligjor. Dua të theksoj se policët janë sulmuar me vida, lëndë piroteknike, bombë molotov. Në Tiranë dhe Shkodër janë 132 punonjës policie të lënduar, disa prej tyre vijojnë të marrin mjekim”, tha Hita.
Ai u shpreh se në rrjetet sociale, në grupe të hapura së fundmi, bëhet thirrje për dhunë ndaj policisë, duke nxitur sulme dhe shkatërrim në masë. Edhe sot, protestuesit e maskuar kanë si qëllim që të sulmojnë dhe t’i vënë flakën mjeteve të policisë”, vijoi Hita.
Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, janë marrë të gjitha masat për hetimin e tyre. Ai shtoi se siguria e qytetarëve mbetet detyrimi jonë.
Ndërkohë i pyetur për përdorimin e plumbave të gomës nga ana e policisë gjatë ditës së sotme, Hita u shpreh se janë mjete që lejohen, por në mënyrë të kufizuar.
“Policia ka përdorur gjithmonë mjetet që lejohen, në mënyrë të kufizuar. Përdoren mjetet si në vendet e Bashkimit Europian, pajisje të certifikuara për këtë qëllim. Kemi sekuestruar disa sende dhe prova materiale që qëllohen drejt policëve. Një ndër punonjësit ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e gojës, në nofull”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.
Gjatë kësaj dalje për mediat, Hita vijoi duke thënë se nuk pajtohet me protestuesit e plagosur, por as me dhunën që ushtrohet ndaj punonjësve të policisë, që gjithashtu janë plagosur.
“Janë sulmuar në mënyrë të paprecedentë. I kemi bërë publike, e përmenda që ka punonjës të pezulluar dhe ata janë me emra, nuk janë anonimë. Po veprojmë sipas procedurave. Nuk është fare e pranueshme sesi ata protestues të dhunshëm plagosin çdo ditë punonjës të policisë”, përfundoi ai.



