Shenim nga Albania Today
Studentja 22 vjeçare u bë virale me dëshminë para kamerave sepse ishte e vërtetë. Samanta nuk kishte atë qëllim. Ajo nuk donte të kapte klikime siç bëjnë çdo ditë politikanët dhe analistët nëpër studio. Por e rrëmbeu gjithë vemendjen e publikut dhe pushtoi zemrat e audiencës fare thjesht, pa slogane, pa parulla, pa strategji, pa kalkulime.
Tha të vërtetën bruto, pa komplekse. Ndaj ajo u bë simboli i protestës dhe i rinisë. Më vonë atë ditë, ajo e përsëriti leksionin në studion e Opinion. Politikanët dhe analistët e përhershëm ishin rreshtuar para saj, dhe diferenca ishte shumë e qartë. E pamësuar, hera e parë që ajo shkelte në një ambjent të tillë të rreptë e aspak komod, e megjithatë ja doli të vendosë rendin, të imponohet.
Sepse ishte sërish e vërtetë dhe rrëfeu çfarë ndjen e mendon. Por gjithashtu, nxori zbuluar ata që pretendojnë se përfaqësojnë mendimin dhe ata që pretendojnë të udhëheqin. Dukej qartë se asnjëri nga paneli nuk e dinte jetën e një studenti, vështirësitë e përditshme, sakrificat e një familje të ndarë nga emigrimi, hallet e mëdha për të mbyllur muajin.
Yjet tona të ekranit nuk e kanë idenë e realitetit, ata shpesh kanë agjendë dhe jo rrallë tjerrin llafe kot. Ndaj dhe në protestë përveç revoltës ndaj qeverisë, dëgjojmë shpesh dhe pakënaqësi ndaj studiove./A.T



