Shenim i Albania Today/
Prej 6 ditësh Shqipëria po njeh ditët më të vështira ndoshta që prej vitit 1997. Protestat ku dhuna doli jashtë kontrollit dhe ku të mitur, nxënës, studentë u gjakosën, ku policë u goditën, ku biznese u dogjën e shkatërruan kanë tronditur vendin.
Këto zhvillime janë shoqëruar edhe më luftën e fjalëve, narrativës dhe retorikës që ka qënë njësoj e nxehtë sidomos prej palëve të përfshira. Palët më të përfshira politikisht kuptohet se janë qeveria dhe opozita.
Por ky është rasti që një zë tjetër të dëgjohet. Zëri i atyre që janë më të distancuar, që kanë një reputacion, që kanë një emër e ndikim në opinion. Nuk është fjala këtu për komentuesit e përnatshëm të studiove që janë kthyer në burim mllefi e revolte. Por për artistët, akademikët, shkrimtarët, pedagogët, intelektualët. Ata që nuk janë pjesë e agjendës.
Disa zëra janë shfaqur në publik. Ata kanë bërë thirrje për qetësi dhe i kanë kërkuar Kryeministrit të reflektojë. Dhe në këto orë dramatike, nuk bënë sehir. Këta njerëz do të kujtohen. Por, gjithashtu, do të kujtohen ata që nuk po dalin nga rehatia e tyre, që nuk po shohin përtej hundës së tyre. Edhe ata do të mbahen mend. Sepse heshtën dhe nuk luajtën rolin që kanë në shoqëri, ditën që kishte më shumë nevojë për ta.
Sot prania dhe mesazhi i tyre është më i rëndësishëm se asnjëherë. Sepse vetëm ata me autoritetin publik që kanë, e kanë potencialin për të ndikuar, për të hedhur një gotë ujë mbi zjarrin që po djeg vendin.



