Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, ka kundërshtuar masën e paraburgimit prej një muaji, duke argumentuar se djali i tij 12-vjeçar ka nevojë për përkujdesjen e tij. Gjatë seancës gjyqësore, Sylaj ka shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike dhe ka deklaruar se ishte përpjekur ta parandalonte atë.
“Ndjej keqardhje për këtë që ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, citohet të ketë thënë ai para trupit gjykues.
Gjithashtu, Sylaj ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhet djali i tij i mitur dhe ka theksuar se fëmija ka nevojë për kujdesin e tij. Megjithatë, para prokurorit, ai ka pranuar se i kishte drejtuar fjalë kërcënuese ish-bashkëshortes. Sipas tij, veprimet lidhen me pretendimin se po përpiqej të mbronte djalin e tyre 12-vjeçar.
Mësohet se dokumentet tregojnë se rasti ishte iniciuar më 10 korrik 2026, pasi Arlinda Zekaj e kishte denoncuar Sylajn për dhunë në familje dhe kanosje. Ndërkaq, më 14 korrik, gjatë paraqitjes në stacionin policor, Sylaj kishte zgjedhur të mos deklarohej, duke thënë se faktet do t’i paraqiste para prokurorit të shtetit.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga vëllai i Jetonit, Albert Sylajt, i cili u arrestua ditën e sotme, vetëm tre ditë pas vrasjes.



