Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka shkaktuar reagime edhe brenda Partisë Socialiste, sipas avokatit të tij, Plarent Ndreca.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, përballë moderatores Sidorela Gjoni, Ndreca ka deklaruar se disa deputetë socialistë kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
I pyetur nëse kishte pasur deputetë të PS-së që i kishin kërkuar informacione për situatën e Veliajt, avokati u përgjigj: “Ka pasur, sigurisht”.
Sipas tij, shqetësimi është shprehur edhe gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, ku Bledi Çuçi nuk ka qenë i vetmi që ka ngritur këtë çështje.
“Jo, absolutisht. Dhe besoj se kjo është shprehur edhe sot në mbledhjen e grupit socialist, sepse nuk është vetëm z. Çuçi që e ka shprehur këtë, ai ndoshta ka qenë më i zëshmi”, deklaroi Ndreca.
Avokati sqaroi se nuk kishte qenë personalisht i pranishëm në mbledhje, por se informacionet që dispononte tregonin se edhe deputetë të tjerë kishin mbështetur shqetësimet e ngritura.
“Gjithashtu më kanë telefonuar më shumë se 7-8 kolegë shumë të shqetësuar, në gjendje mërzie përse ndodh kjo gjë dhe përse shkohet në këtë pikë”, u shpreh ai.
Ndreca e cilësoi të pakuptueshme mënyrën e trajtimit të kryebashkiakut, duke argumentuar se çështja nuk lidhet me privilegjet e funksionit, por me garantimin e të drejtave ligjore.
“Kur i bëhet kryetarit të bashkisë në detyrë, çfarë mund t’i bëhet një qytetari tjetër që ndoshta nuk e ka këtë vizualitet publik?”, deklaroi avokati.
Ai theksoi se mbrojtja nuk po kërkon trajtim të veçantë për Veliajn, por mundësinë që ai të ushtrojë detyrën e tij duke qëndruar më pranë institucionit që drejton.
“Nuk po kërkojmë privilegj për shkak të detyrës. Po kërkojmë t’i mundësojmë detyrën, duke e mbajtur afër”, tha Ndreca.
Në përfundim, avokati deklaroi se ende nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar për arsyet e transferimit.
“Aktualisht jemi në terr të plotë informativ. Që dje në 4 të pasdites kam dërguar e-mail zyrtar dhe nuk kam ende asnjë përgjigje”, u shpreh ai.
Deklaratat e Ndrecës tregojnë se vendimi për transferimin e Veliajt ka shkaktuar shqetësime, sipas tij, edhe mes deputetëve socialistë.



