Një 57-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Vaut të Dejës, pasi dyshohet se është përfshirë në kultivimin dhe prodhimin e mbi 24 kilogramëve kanabis, si dhe të 78 bimëve narkotike.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Vila”, të finalizuar pas disa muajsh hetime me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi N. N., 57 vjeç, banues në Shkodër, i identifikuar si bashkëpunëtor i dyshuar në këtë veprimtari kriminale.
Hetimet lidhen me një sasi prej 24 kilogramësh e 240 gramësh lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 78 bimë të dyshuara kanabisi, të cilat ishin zbuluar dhe sekuestruar nga Policia më 12 tetor 2026, në fshatin Vilë, njësia administrative Temal.
Pas disa muajsh veprime hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe ndalojë 57-vjeçarin, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.



