Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës në Tiranë, ka njoftuar se më 11 nëntor do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin “Gemelli” në Romë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se operacioni i ardhshëm do të jetë vendimtar për shikimin e tij, duke e cilësuar si një nga sfidat më të mëdha të jetës.
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur dhe janë interesuar për gjendjen time, ju informoj se më datë 11 nëntor do t’i nënshtrohem një tjetër operacioni në spitalin Gemelli në Romë.
Ky do të jetë operacioni vendimtar për shikimin tim, një sfidë shumë e madhe në jetën time. Me besimin te Zoti, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.
Faleminderit nga zemra të gjithëve për mbështetjen, mesazhet dhe lutjet!”, shkruan Vishkulli.
28-vjeçari mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestës kombëtare të zhvilluar në Tiranë rreth dy javë më parë. Sipas raportimeve, dëmtimi dyshohet se u shkaktua nga një plumb gome.
Pas plagosjes, ai u transportua në Itali, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin “Gemelli”.
Operacioni i parë përfundoi me sukses dhe u arrit të shpëtohej organi i syrit, por kjo nuk nënkuptonte rikthimin e shikimit.
Më 29 tetor, Vishkulli publikoi një fotografi pas daljes nga spitali, të shoqëruar me mesazhin:
“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur.”
Tashmë, më 11 nëntor, ai do të përballet me një tjetër ndërhyrje, nga e cila shpreson të ruajë ose të rikuperojë shikimin e syrit të dëmtuar.
Rezultati i operacionit mbetet për t’u përcaktuar nga mjekët, ndërsa 28-vjeçari ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë.



