Gazmir Fiku, i dyshuarit kryesor për vrasjen e babait të tij Urim Fikut, para hetuesve ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për vdekjen e 61-vjeçarit që tronditi mbarë vendin.
Burime për gazetarin Elton Qyno bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, Gazmiri ka pretenduar fillimisht se kur ka ndodhur ngjarja ai nuk ishte në banesë për në punë. Madje për t’i bindur hetuesit për këtë version, Gazmir Fiku, ka kërkuar që të kontrollohen pamjet filmike të OSHEE, për të parë se kur ka qenë i pranishëm në punë.
Mirëpo, pavarësisht pretendime për pafajësi, Fiku nuk është dukur i besueshëm me argumentet e tij para hetuesve .
I riu nuk ka dhënë shpjegim për shumë pyetje, duke filluar nga fshirja e pamjeve filmike të DVR-së së kamerave të shtëpisë, gjetja e rrobave të prera me gërshërë dhe hedhur në ËC-në e banesës, sëpata me njollat e gjakut, arma e krimit pistoletë me një fishek në fole, gëzhoja e gjetur në vendngjarje dhe versioni imagjinar i ariut.
Ndërkaq, gazetari Elton Qyno ka mësuar se gjatë ditës së djeshme Gazmir Fiku, u ka kërkuar hetuesve që të lenë të lirë nënën e tij, Sadeten, me qëllim të kishte mundësi për të kryer ceremoninë e varrimit. Ai ka argumentuar se ishte në dispozicion të hetimit duke kërkuar me këmbëngulje që nëna e tij të lihej e lirë.
Po ashtu, Fiku ka treguar se ishte në punë kur është njoftuar me telefon nga nëna e tij se babai ishte sulmuar nga ariu në pyll teksa kishte dalë për të kullosur bagëtitë. Sipas tij, me të marë vesh lajmin është larguar menjëherë nga zyra për të parë se çfarë ka ndodhur dhe kur ka shkuar në vend, ka konstatuar babain e tij pa shenja jete me një plagë të madhe në kokë. Me mendimin se i ati është sulmuar nga ariu, ai dhe nëna kanë dërguar për vizitë në spitalin e Bulqizës.
Mirëpo, dyshimet se Gazmir Fiku po fsheh të vërtetën rriten akoma më shumë, pasi pyetjes se përse ja kishin hequr rrobat e trupit dhe i kishin hedhur në ËC-në e shtëpisë, a iu përgjigj duke thënë se heqja e rrobave është bërë me qëllim ndërrimin e tyre pasi ishin gjakosur shumë dhe se do e çonin në spital. Ndërsa hedhjen e rrobave në tualet nuk ka qenë në gjendje t’i përgjigjet, pasi mendohet se ky veprim është kryer nga nëna e tij Sadetja .
Po ashtu, Fiku nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë se kujt i përket arma tip pistoletë dhe kush a qëlluar në drejtim të babait të tij, Urim Fikut. Gjithashtu mësohet se ai është “bllokuar” përballë pyetjes se pse është kujdesur personalisht për të fshehur armën e zjarrit në ambientet e jashtme të shtëpisë.
Ndërsa për pyetjen se përse sëpata e druve ishte e gjakosur, Gazmir Fiku pretendon se disa ditë më parë, babai kishte therur një kec. Mirëpo dhe këtu ai nuk jep përgjigje bindëse, pasi nuk zbulon se ku ishte therur keci, ku ishte lëkura e tij, apo mbetjet.
Fiku i është shmangur përgjigjes duke treguar se nuk kishte dijeni se ku i therte kecat babai, pasi ai nuk interesohej shumë. Ndërsa pyetjes për fshirjen e pamjeve filmike të kamerave të shtëpisë, ai ka thënë se kamerat nuk punonin prej shumë kohësh.
Ndërkohë, sipas rindërtimit të ngjarjes nga ana e policisë, mësohet se 56-vjeçari Urim Fiku është qëlluar pas shpine me një plumb pistolete, i cili ka qenë tejshkues pasi ka dalë nga shpina e viktimës në gjoksin e tij.
Por veç kësaj plage të rëndë të shkaktuar me armë zjarri, ekspertët kanë konstatuar në kokën e viktimës Urim Fiku dhe një plagë të madhe në kokë, e cila ishte shkaktuar me një mjet prerës të fortë që dyshohet sëpatë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Një ngjarje e rëndë, e cila është në zbardhje e sipër, ku sipas provave të mbledhura deri më tani, autorët e dyshuar të vrasjes së Urim Fikut janë gruaja dhe djali i tij.
Nënë e bir, aktualisht në pranga, akuzohen për veprat penale: “Vrasje për shkaqe të marrëdhënies familjare” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.



