Kristian dhe Adriana Gjoni erdhën nga Kanadaja për t’u treguar familjeve se prisnin fëmijën e parë. Në Rinas, Kristiani u akuzua për trafik droge për një valixhe që, sipas policisë kanadeze, nuk ishte e tija. Historinë e tyre e ka rrëfyer emisioni W5 i televizionit kanadez CTV.
Valixhja që nuk ishte e tyre

Këtë verë, çifti fluturoi me një nga fluturimet e para direkte të Air Transat nga Toronto në Tiranë. Pak pas mbërritjes, një oficer doganor i pyeti pse njërës nga katër valixhet e tyre i mungonte etiketa.
“I thashë, nuk jam punonjës i Pearson apo i Air Transat. Si mund ta dija unë?”, rrëfen Kristiani.
Çifti u mbajt për dy orë e gjysmë, derisa një oficer e çoi Kristianin te karuseli i bagazheve dhe e urdhëroi të merrte një valixhe të vetme që ende vërtitej në rrip. Kur u hap, brenda ishin 23,15 kilogramë kanabis.
Fotot që duhej ta mbronin

Çifti kishte parë më parë dokumentarin e W5 për skemën e “ndërrimit të etiketave” dhe kishte ndjekur këshillat e qeverisë kanadeze: kishin fotografuar valixhet dhe etiketat para nisjes.
Skema funksionon kështu: një punonjës i korruptuar fut në aeroport një valixhe me drogë, ia heq etiketën bagazhit të një pasagjeri të pafajshëm dhe ia ngjit valixhes me drogë. Nëse gjithçka shkon mirë, dikush e merr valixhen në destinacion. Nëse jo, pasagjeri i pafajshëm duhet të japë shpjegime.
Fotot nuk e ndihmuan. Sipas Kristianit, policia shqiptare i pa si “jashtëzakonisht të dyshimta”. “Më pyetën: ‘Pse i fotografove çantat?’ U thashë se kjo ishte kudo në lajme dhe është rrezik sigurie në Kanada.”
Katër ditë në izolim
Kristiani, një biznesmen IT-je me origjinë nga Shqipëria, u dërgua në burg. Kaloi katër ditë në izolim, në një qeli pa dritare me një dritë fluoreshente që nuk fikej kurrë. Për të mbijetuar mendërisht, tregon se luante shah me veten, në një tabelë që e kishte bërë me hirin e cigareve dhe me bojën e fshirë nga muret.
Rasti u përfshi në atë që policia shqiptare e quajti “Operacioni Valixhet”.
Fëmija i humbur
Ndërkohë, Adriana u dërgua në spital me dhimbje të forta. Mjekët i bënë një ekografi, por jo analizë gjaku, dhe i thanë policisë se nuk ishte shtatzënë. Pak pas kësaj, emri i Kristianit doli në media, bashkë me pretendimin se ai “dyshohet se u përpoq të shmangte inspektimin duke pretenduar se gruaja e tij ishte shtatzënë”.
“E gjithë rrëfenja u ndërtua para se të na merrnin në pyetje, dhe madje iu dha shtypit”, thotë Kristiani.
Adriana doli nga spitali, por pas disa orësh u ndie sërish keq dhe u dërgua me urgjencë në një spital tjetër. Aty, një analizë gjaku vërtetoi se ishte shtatzënë. Ishte tepër vonë: ajo e humbi fëmijën. W5 thotë se ka parë dokumentet mjekësore nga Toronto dhe nga Shqipëria që e konfirmojnë.
“Ende nuk e kemi kapërcyer. Nuk mendoj se do ta kapërcejmë ndonjëherë plotësisht.”
Një pasagjere tjetër, i njëjti skenar
Në të njëjtin fluturim u ndalua edhe një pasagjere tjetër kanadeze, sepse etiketa e saj ishte vendosur në një valixhe tjetër me 23 kilogramë kanabis. Ajo u lirua pa akuza. Sipas policisë shqiptare, kanabisi në total vlente pothuajse 400 mijë dollarë kanadezë.
Lirimi me kusht dhe gjyqi
Kristiani u lirua me kusht pasi avokati i tij paraqiti prova, përfshirë dhjetëra lidhje me reportazhet e W5 për ndërrimin e etiketave dhe korrupsionin në aeroportin Pearson të Torontos. Ai është kthyer në Toronto, por duhet të vijë rregullisht në Tiranë për t’u paraqitur në polici. Fillimisht një herë në muaj, tani një herë në katër muaj.
Gjyqi pritet të nisë në fillim të vitit 2027. Ai rrezikon deri në 15 vjet burg.
Çfarë thonë Air Transat dhe policia kanadeze
Zëdhënësja e Air Transat, Stéphanie Dussault, tha se kompania i merr shumë seriozisht akuzat për ndërhyrje në sistemin e bagazheve. “E kuptojmë shqetësimin që kjo situatë i ka shkaktuar z. Gjoni dhe familjes së tij”, tha ajo, duke shtuar se në sistemin e bagazheve përfshihen edhe autoritetet e aeroportit, partnerët e sigurisë dhe agjencitë qeveritare.
Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) ka verifikuar se çifti regjistroi vetëm katër valixhet që mori dhe pajtohet me versionin e Kristianit. “RCMP beson se ju ishit viktimë e një incidenti me ndërrimin e etiketës së bagazhit”, i shkroi një oficer në tetor.



