Disa u zhdukën para syve të të tjerëve, disa lanë pas vetëm një send, disa humbën vetëm pak hapa larg shtëpisë apo shkollës. Në të gjitha rastet, pyetja është e njëjtë: si mundet një fëmijë të zhduket pa lënë asnjë gjurmë?
1. Bleona Mata: Pesë dëshmitarë dhe asnjë përgjigje
Ishte 6 vjeç. Po kulloste bagëtitë në mal, pasditen e 22 majit të 2010-së, në fshatin Zapod të Kukësit, kur dikush mendohet se e rrëmbeu. Nuk ishte vetëm: pesë vajza të rritura, të cilat po kullosnin bagëtitë, kanë qenë dëshmitaret e momentit të fundit të Bleonës. Rasti mori jehonë ndërkombëtare, por pavarësisht angazhimeve të SHISH dhe Policisë, Bleona Mata nuk u gjet.
2. Julian Çela: Djali i oficerit të shërbimit sekret
Julian Çela, djali 10-vjeçar i një zyrtari të Antiterrorit në SHISH, u rrëmbye në 30 nëntor të 2012-së. I ati punonte në strukturën që duhej të kishte më shumë mjete se kushdo për ta gjetur. Prapë, asgjë.
3. Jasmina Jasharaj: Vetëm biçikleta mbeti
Ishte 6 vjeç kur, më 28 korrik 1997, u zhduk nga oborri i shtëpisë në Suedi, ku jetonte familja. E vetmja që u gjet pak orë pas zhdukjes ishte biçikleta e saj, disa qindra metra larg banesës, por as një gjurmë e 6-vjeçares. Një dëshmitare pretendon se e ka parë vajzën e vogël në afërsi të një pylli, pranë banesës. Pas kësaj, heshtje.
4. Juliana Hoxha: Para shtëpisë, në 10 të mëngjesit
Më 12 mars 1992, vogëlushja Juliana Hoxha, në atë kohë 6 vjeçe e gjysmë, rrëmbehet në orën 10 të paradites përpara shtëpisë së saj. Në mes të ditës, në vendin më të njohur për të. Megjithë denoncimet e bëra në polici e bujën në shtypin e kohës, ajo u harrua ndër vite.
5. Xhevair Gezdari: 30 metra nga shkolla
Xhevair Gezdari u rrëmbye afro 30 metra larg oborrit të shkollës në vitin 1995. Në vendin ku një fëmijë duhet të jetë më i sigurt, në orën kur rrugët janë plot me prindër e nxënës.
6. Artur Cara: Në mes të tregut
Ishte 8 vjeç. Artur Cara humbi gjurmët nga 7 korriku i vitit 2004 nga Elbasani. Nga shtëpia doli bashkë me të vëllanë për të shitur qese plastike, në markatën e qytetit. Në një nga vendet më të frekuentuara të qytetit, askush nuk pa asgjë.
Prapa çdo emri është një familje që nuk ka pushuar së kërkuari. Nëse dini diçka, edhe diçka të vogël, telefononi ALO 116 000 ose policinë.



