Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës ka çuar në sekuestrimin e mbi 2.6 tonëve kokainë në Oqeanin Atlantik dhe arrestimin e katër personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni është koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Breshias në Itali, ndërsa është zhvilluar nga Guardia di Finanza e Breshias, në bashkëpunim me autoritetet e Spanjës dhe Portugalisë.
Sipas autoriteteve, lënda narkotike u zbulua në bordin e një gomoneje ultra të shpejtë të tipit “go-fast”, e cila u ndalua në Atlantik, pranë brigjeve të Lisbonës, nga Policia Detare Portugeze.
Në pranga kanë rënë dy shtetas spanjollë, një shtetas nga Gjibraltari dhe një shqiptar, i cili rezulton banues në Mantova dhe në provincën e Breshias.
Sipas hetimeve, ngarkesa e sekuestruar ka një vlerë prej rreth 78 milionë eurosh në tregun e shumicës. Autoritetet italiane vlerësojnë se, nëse kokaina do të arrinte në destinacionin final dhe do të shpërndahej në tregun e drogës, do të gjeneronte një xhiro prej rreth 500 milionë eurosh.
Operacioni u mbështet edhe nga mjetet ajrore të Guardia di Finanza, të pajisura me teknologji të avancuar për mbikëqyrjen detare. Avionët monitoruan vazhdimisht lëvizjet e gomones në kuadër të kontrolleve për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Hetimet kanë konfirmuar edhe një herë se grupet e krimit të organizuar po përdorin gjithnjë e më shumë gomone të tipit “go-fast”, me gjatësi nga 10 deri në 16 metra dhe të pajisura me disa motorë të fuqishëm, të afta të arrijnë shpejtësi mbi 70 nyje, për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.


