Janë publikuar pamjet e para nga vendi ku u rrëzua njëri prej dy helikopterëve zjarrfikës që u përplasën në ajër gjatë një operacioni për shuarjen e flakëve në Greqi.
Pamjet tregojnë shkallën e shkatërrimit, me pjesë të helikopterit të shpërndara në zonën ku ndodhi aksidenti.
Sipas informacioneve paraprake, të dy helikopterët ishin ngritur nga aeroporti ushtarak i Eleusis dhe ishin angazhuar në operacionin për përballimin e zjarrit të madh në zonë.

Të dhënat e fundit bëjnë me dije se dy persona kanë mbetur të plagosur lehtë, ndërsa dy të tjerë kanë ndërruar jetë.
Sipas autoriteteve, pilotët e të dy helikopterëve janë shtetas rumunë, ndërsa koordinatorët e fluturimit janë grekë. Mjetet ajrore ishin marrë me qira nga Departamenti i Zjarrfikësve dhe secili prej tyre kishte në bord një ekuipazh prej dy personash.


