Një festë që nisi në dhomën e zhveshjes së Dinamo City-t, pas kualifikimit në play-off-in e Conference League, ka marrë përmasa shumë më të mëdha se vetë suksesi sportiv.
Pas fitores 4-0 ndaj Audës së Letonisë, presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, hyri në dhomën e zhveshjes me një qese të mbushur me para dhe i hodhi ato në dysheme përpara lojtarëve.
Burime bëjnë me dije se premio e dhënë për ekipin nga ana e presidentit Bardhi është 90 mijë euro.
Pamjet nuk mbetën vetëm në Shqipëri. Ato u morën nga media të rëndësishme europiane dhe ndërkombëtare, të cilat i dhanë një hapësirë të veçantë kësaj feste.
Në Itali, “Il Messaggero” e titulloi: “Dinamo Tirana, pioggia di soldi nello spogliatoio” – “Dinamo Tirana, shi parash në dhomën e zhveshjes”.
Në Spanjë, “Marca” shkroi: “Locura: un presidente entra gritando al vestuario y les arroja una bolsa de dinero a sus jugadores” – “Çmenduri: një president hyn në dhomën e zhveshjes dhe u hedh lojtarëve një qese me para”.
Ndërsa “El Correo” e përshkroi si një “festë surrealiste në Shqipëri”.
Jehona shkoi edhe në Kroaci, Rumani, Bosnje dhe më tej. “Index.hr”, “Jutarnji list”, “Večernji list”, “SportKlub”, “Digi Sport”, “AS.ro”, “Sportsport.ba” dhe “Doble Amarilla” publikuan historinë dhe videon.
Në Amerikën Latine, edhe “Record México” e përcolli skenën me titullin: “Të kualifikohesh dhe presidenti yt të vijë me një qese me para!”
Por pas kësaj feste fshihet edhe një motivim i madh sportiv. Bardhi u premtoi futbollistëve 500 mijë euro nëse eliminojnë Pafos dhe sigurojnë kalimin në fazën e ligës së Conference League.
Dinamo tashmë është përballë një tjetër sfide europiane. Por një gjë është e sigurt: nga një dhomë zhveshjeje në Tiranë, përmes pamjeve kjo histori doli shumë përtej kufijve të Shqipërisë. Një festë pas një suksesi sportiv u kthye kështu në një histori ndërkombëtare, duke i dhënë Dinamos një jehonë që, të paktën për nga spektakli, duket se kaloi edhe kufijtë e vetë fushës së futbollit.



