Anxhela Paparizo pritet të emërohet Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV).
Paparizo vjen në këtë detyrë pas më shumë se 20 vitesh eksperiencë në administratën vendore, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kanada.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka mbajtur role drejtuese në administratën vendore, përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe Bashkinë e Burlingtonit, në Ontario.
Deri në mesin e këtij viti, Paparizo mbajti detyrën e drejtoreshës së QSUT-së, përpara se të jepte dorëheqjen në muajin qershor.
Ajo është vlerësuar gjithashtu me çmimin “Elitë e Gruas Shqiptare në Botë”.
Në krye të AMVV-së, Paparizo pason Stiljan Llavdanitin, i cili ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të komanduar të institucionit.
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore është institucioni që mbështet procesin e decentralizimit dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, në përputhje me politikat dhe kuadrin ligjor në fuqi.
Me emërimin e Paparizos, AMVV hyn në një fazë të re drejtimi, ndërsa pritet të bëhen publike edhe prioritetet e saj për institucionin.



