Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka pezulluar aktivitetin e kompanisë KMY në Tiranë, pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme mish pule që paraqiste rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e subjektit, inspektorët sekuestruan 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule, për shkak të shkeljeve të rënda të standardeve higjieno-sanitare.
Nga verifikimet rezultoi se mishi ishte trajtuar në kushte të papërshtatshme, pasi gjatë proceseve të ngrirjes dhe shkrirjes ishte vendosur drejtpërdrejt në tokë. Po ashtu, produkti ruhej në ambiente ku u konstatuan prani myku dhe ndryshku, duke përbërë rrezik serioz për sigurinë ushqimore.
Në përfundim të kontrolleve, AKU vendosi pezullimin e aktivitetit të subjektit deri në përmbushjen e plotë të kushteve ligjore, ndërsa e gjithë sasia prej 738 kilogramësh mish pule e sekuestruar u asgjësua.

