Konflikti për Aeroportin e Vlorës mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit duket se ka një prapaskenë më të ndërlikuar sesa një përplasje e zakonshme mes dy ortakësh.
Një version tjetër të historisë e ka sjellë Ylli Manjani, i cili mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Top Story” me Grida Dumën në Top Channel, foli për një operacion financiar prej 100 milionë eurosh.
Sipas informacioneve që Manjani tha se disponon, Behgjet Pacolli kishte kërkuar të siguronte një kredi prej 100 milionë eurosh nga një kompani offshore në Luksemburg, pronarët e së cilës nuk bëhen të ditur.
Pjesë e marrëveshjes, sipas tij, do të ishte edhe Aeroporti i Vlorës, i cili në atë kohë ishte ende në proces ndërtimi dhe do të përdorej si garanci.
Manjani deklaroi se me këtë financim synohej të shlyhej kredia e marrë më herët në BKT për ndërtimin e aeroportit, ndërsa pjesa tjetër e shumës do të përdorej për investime të tjera.
Por, sipas tij, pikërisht këtu nisi përplasja.
“Nuk është aq e thjeshtë. Ai shkoi, kontaktoi. Mori paratë dhe me letrën në dorë erdhi tek administratori i VIA ta firmoste. Nuk e firmos administratori. Ikën ai. Edhe administratori tjetër nuk e firmos. Dhe më e forta, mirë që e la peng aeroportin atje, por dhe lekët do t’i çonte në Afrikë”, deklaroi Manjani në “Top Story”, në Top Channel.
Sipas këtij versioni, operacioni nuk arriti të finalizohej pasi administratorët e VIA-s nuk firmosën dokumentacionin e nevojshëm.
Pikërisht pas kësaj, përplasja mes ortakëve duket se është thelluar dhe konflikti ka kaluar nga marrëdhëniet brenda kompanisë në një betejë ligjore që prej kohësh ka mbërritur në gjykata.
Prej muajsh, punimet në Aeroportin e Vlorës kanë mbetur të bllokuara për shkak të konfliktit mes palëve.
Edhe pse në fillim situata dukej si një përplasje aksionerësh, ku MABCO zotëronte 98% dhe Valon Ademi 2% të aksioneve, zhvillimet e fundit tregojnë se çështja është më komplekse dhe lidhet edhe me mënyrën e financimit të projektit.
Në këtë situatë ka ndërhyrë edhe qeveria shqiptare, e cila ka marrë hapa për të rimarrë kontrollin mbi projektin dhe për t’i lënë palët të vijojnë përplasjen e tyre në rrugë gjyqësore.
Ndërkohë, Behgjet Pacolli ka deklaruar se çështjen e Aeroportit të Vlorës do ta çojë në Arbitrazhin Ndërkombëtar.



