Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari refuzoi të jepte një koment mbi fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të 2022-it.
Gjatë një konference me gazetarët, Lamallari tha se si titullar politik nuk mund të përfshihet në këtë çështje, por theksoi se informacionet i disponojnë oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori i çështjes.
“Kjo ngjarje që ju referoni është një ngjarje konkrete që do të thotë se kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacionale.
Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, tha ministri i Brendshëm.
Kujtojmë se pak ditë më parë, babai i Ervis Martinaj tha se djali i tij është ekzekutuar në Durrës, mirëpo kjo ngjarje mbetet e pazbardhur nga autoritetet tona.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”, tha Mustafa Martinaj.

