Drejtori i MCN TV, Endri Meksi, ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e reagimit institucional pas kërcënimeve të përsëritura ndaj tij dhe bizneseve që zotëron.
Gjatë një deklarate publike, ai bëri me dije se, edhe pse ka bërë kallëzim që më 10 mars dhe ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, nuk ka marrë asnjë informacion nga policia mbi ecurinë e hetimeve. Sipas tij, çështja është referuar menjëherë në prokurori, ndërsa më 18 mars ka paraqitur edhe një ankimim shtesë, por pa asnjë zhvillim konkret.
Meksi e cilëson këtë situatë të pazakontë dhe ngre dyshime për një tentativë për të heshtur çështjen. Ai theksoi se prova të rëndësishme, si pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, nuk janë administruar siç duhet nga autoritetet.
Ai shtoi se kërcënimet mund të lidhen me aktivitetin e tij në sektorë të ndjeshëm si lojërat e fatit, teknologjia dhe projektet infrastrukturore, ku ka qenë i përfshirë edhe në investigime të ndryshme.
Gjithashtu, Meksi ngriti shqetësim për një auditim të zgjatur nga Ministria e Financave ndaj bizneseve të tij, duke pretenduar se ka tejkaluar afatet normale dhe është shoqëruar me ndërhyrje të dyshimta.

