Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka publikuar dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, të cilat sipas tij hedhin dritë mbi një kërcënim serioz për sistemin bankar shqiptar përmes licencimit të Jet Bank.
Këlliçi deklaron se ekziston një zinxhir marrëdhëniesh mes individëve të lidhur me skema mashtrimi ndërkombëtare që nuk mund të konsiderohen më si rastësi.
Sipas dokumenteve të bëra publike, shtetasi Oliver Hemmer ka qenë Drejtor Menaxhues i kompanisë që operonte për llogari të Gal Barak, një shtetas izraelit i dënuar në Austri për një skemë mashtrimi me Call Center-a, me një dëm prej rreth 200 milionë eurosh në disa shtete të BE-së.
“Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak. Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro”, shkruan Këlliçi.
Këlliçi sqaron se Oliver Hemmer është gjithashtu drejtor i kompanisë qipriote Constador LTD, e cila zotëron 71% të Jet Bank, bankës së parë online në Shqipëri.
Ai gjithashtu ngre pikëpyetje mbi standardet e verifikimit të Bankës së Shqipërisë gjatë procesit të licencimit të këtyre individëve.
“Pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?!”, theksoi ai në postimin e tij.
Këlliçi në statusin e vet paralajmëron se ky skandal përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar në vend, duke i bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian në Shqipëri të reagojë ndaj kësaj vije alarmi.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Jet Bank kanë bërë një sqarim publik pas akuzave të nënkryetarit të PD-së Belind Këlliçi ditën e sotme.
Jet Bank ka dalë me një sqarim publik për të adresuar deklaratat e fundit lidhur me licencimin dhe qeverisjen e saj, duke theksuar se operon plotësisht në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare. Sipas institucionit, procesi i licencimit është zhvilluar në mënyrë transparente dhe nën mbikëqyrjen e plotë të autoriteteve, ndërsa pretendimet për rrezik sistemik apo lidhje me struktura të palicencuara cilësohen të pabazuara dhe pa prova.
Në reagim, banka sqaron gjithashtu se përfshirja e Oliver Hemmer ka qenë vetëm në një fazë teknike të hershme dhe pa asnjë rol vendimmarrës apo ekzekutiv, duke mohuar çdo lidhje të tij me aktivitetin aktual apo të ardhshëm të bankës. Struktura e pronësisë dhe ajo e qeverisjes, sipas deklaratës, janë të dokumentuara dhe të miratuara sipas kërkesave ligjore, ndërsa institucioni është në fazën përfundimtare të ndërtimit të organeve drejtuese në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Jet Bank paralajmëron se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj çdo deklarate që e konsideron shpifëse apo të pavërtetë, duke theksuar angazhimin për transparencë dhe duke refuzuar të ndikohet nga, siç e quan, një klimë përbaltjeje ndaj iniciativave të reja në tregun shqiptar.
Reagimi i JET BANK
“QARTËSIM PUBLIK MBI JET BANK DHE QEVERISJEN E SAJ
Jemi të vetëdijshëm se ndërtimi i një institucioni të ri bankar inovator në një treg të saturuar dhe të konsoliduar vjen me sfida të pritshme.
Megjithatë, nuk ishte e pritshme që në këtë proces të përfshiheshin narrativa të ndikuara politikisht, të cilat nuk i shërbejnë zhvillimit të sektorit financiar dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si një vend që synon modernizimin e sistemit të tij bankar.
Dëshirojmë të sqarojmë publikun shqiptar mbi deklaratat e fundit publike lidhur me procesin e licencimit të Jet Bank dhe strukturën e saj aksionere.
Jet Bank është një institucion bankar i licencuar dhe i mbikqyrur nga Banka e Shqipërisë dhe vepron në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet rregullatore ndërkombëtare për sektorin bankar. Procesi i licencimit është zhvilluar në mënyrë transparente dhe nën verifikimin e plotë të autoriteteve kompetente.
Pretendimet për “rrezik sistemik” apo lidhje të supozuara me struktura apo skema të përmendura publikisht të palicensuara, nuk kanë asnjë bazë dokumentore apo faktuale.
Në lidhje me z. Oliver Hemmer, sqarojmë se përfshirja e tij ka qenë e kufizuar vetëm në fazën e procesit teknik të regjistrimit të shoqërisë dhe përpara marrjes së miratimeve rregullatore. Ai nuk ka pasur kurrë rol vendimmarrës, kontroll operacional apo funksione ekzekutive në aktivitetin bankar dhe nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e ardhshme të bankës. Në këtë kuadër cdo pretendim mbi aktivitete të paligjshme të z.Hemmer, përvec se i pavërtetë, nuk lidhet me veprimtarinë e Jet Bank apo aksionerëve të saj.
Struktura e pronësisë së Jet Bank është e dokumentuar, e verifikuar dhe e miratuar sipas kërkesave ligjore dhe rregullatore në fuqi. Çdo insinuatë për mungesë transparence apo integriteti bie ndesh me faktet e konfirmuara gjatë procesit të licencimit. Jet Bank është në fazën përfundimtare të ndërtimit të strukturës së plotë të qeverisjes, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe kuadrin rregullator shqiptar, përfshirë krijimin e Këshillit Drejtues me anëtarë ekzekutivë dhe të pavarur.
Jet Bank po ndërmerr të gjitha veprimet për denoncimin e këtyre deklaratave shpifëse pranë organeve përkatëse ligjore dhe rezervon të gjitha të drejtat për të ndjekur ligjërisht çdo publikim që përmban informacion të pavërtetë, keqinterpretues ose shpifës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Institucioni mbetet plotësisht i angazhuar për komunikime transparente me këdo dhe i paintimiduar nga kultura ekzistuese e përbaltjes të cdo nisme të re dhe inovative për tregun shqiptar.”

