Më 25 maj të gjithë fermerët që janë të pajisur me një NIPT-bujqësor kanë të drejtë të aplikojnë në Skemën Kombëtare 2026.
Këtë vit thirrja për të përfituar nga programi i mbështetjes financiare do të zgjasë deri më 26 qershor.
Kësaj here 5.2 miliard lekë do të jenë në dispozicion të 12 masave, tre prej të cilave i përkasin investimeve në ferma bujqësore dhe blegtorale, duke përfshirë makineri dhe ndërtimin e staneve.
Nëse fondi i planifikuar nuk ezaurohet brenda datës 26 qershor, ministri i Bujqësisë Andis Salla mund të kërkojë shtyrjen e afatit.
Aplikimet për masat mbështetëse nga 1-9 mund të bëhen online në cilën do orë, ose pranë drejtorive bujqësore. Ndërsa për zërat e Skemës së Investimeve 10, 11, 12 do të përdoret një tjetër formë; fermerëve do t’u duhet të dorëzojnë dosjen e projektit pranë zyrës qendrore të AZHBR në Tiranë.
Fokusi i Skemës Kombëtare kësaj here është përqendruar në sektorin e blegtorisë, duke përgjysmuar numrin e bagëtive që duhet të ketë një blegtor.
12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë jo më pak se 5 gjedhë. Ndërsa tek ferma e të imtave financimi është rritur nga 1200 në 1500 lekë për krerë, ku tufa nuk duhet të ketë më pak se 50 krerë nga 100 kokë që ka qenë një vit më parë.
Njëkohësisht është dyfishuar edhe mbështetja për bletën; nga 1000 lekë për koshere, bletërritësit do të përfitojnë 2000 lekë. Për herë të parë, të rinjtë që janë nën moshën 40 vjeç do të kenë mundësi të përfitojnë 1 mln lekë për investime në ferma bujqësore.
Ndërsa përsa i përket fermerëve që do të duan të financohen për kontrollin biologjik, do të shpallen fitues vetëm ata që kanë aplikuar insektin e dobishëm te kultura e domates, specit, kastravecit dhe luleshtrydheve në tunele; masa e përfitimit është 70% e faturës tatimore për blerjen e materialeve biologjike.
Një tjetër kriter shumë i rëndësishëm është edhe shlyerja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore; pa derdhjen e këtyre kontributeve, bujku nuk ka të drejtë të marrë subvencione nga ky program.


