Administrata Tatimore u ka kujtuar të gjithë personave fizikë, individëve tregtarë, të vetëpunësuarve dhe entiteteve që zhvillojnë veprimtari ekonomiko-tregtare nëpërmjet internetit se, njësoj si çdo aktivitet tjetër tregtar, janë të detyruar të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit përpara fillimit të ushtrimit të aktivitetit.
Në bazë të nenit 40, pika 1/1, të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” (i ndryshuar), këto subjekte kanë detyrimin ligjor të publikojnë në faqen e tyre të internetit:
- numrin e NIPT-it;
- emrin e subjektit tregtar;
- adresën e selisë;
- numrin e telefonit.
Në rastet kur evidentohen persona që ushtrojnë aktivitet tregtar online pa i publikuar këto të dhëna, Administrata Tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i kërkojë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bllokimin e përkohshëm të faqes së internetit përmes së cilës ushtrohet aktiviteti.
Institucioni thekson se bashkëpunimi me AKEP është forcuar, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër informalitetit, veçanërisht ndaj subjekteve që operojnë online pa u regjistruar dhe pa deklaruar pranë organeve tatimore.
Administrata Tatimore u kërkon të gjithë personave që ushtrojnë ose synojnë të ushtrojnë tregti në internet të përmbushin kërkesat ligjore dhe të shlyejnë detyrimet tatimore përkatëse.
Në të kundërt, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve për regjistrim dhe publikim të të dhënave, Administrata Tatimore paralajmëron se do të aplikojë masat administrative të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Tatiet kanë publikuar dhe një material sqarues mbi ushtrimin e veprimtarisë tregtare nëpërmjet internetit
Çfarë është tregtia nëpërmjet internetit?
Tregtia në internet (ose e-commerce) është blerja dhe shitja e produkteve apo shërbimeve përmes internetit. Pra, në vend që të shkoni fizikisht në dyqan, zyrë apo magazinë, gjithçka realizohet online. Tregtia në këto raste është e shpejtë dhe praktike, ofron shumë alternativa zgjedhjeje për cilësi dhe çmim, si dhe mundëson blerje brenda dhe jashtë vendit.
Më thjesht, kërkesa dhe porosia e mallit bëhet në faqe apo dyqane online, brenda ose jashtë vendit. Dërgesa kryhet me postë ose korrier, ndërsa pagesa mund të bëhet online ose në momentin e dorëzimit të mallit.
Nëpërmjet internetit ofrohen edhe shërbime dixhitale, si: kurse online, bileta, abonime, programe etj.
Mënyrat / llojet e tregtisë në internet;
Në një situatë normale, mënyrat/llojet e tregtisë në internet janë:
- B2B (Business to Business) – Biznes me biznes
- B2C (Business to Consumer) – Biznes me konsumator
Regjistrimi i aktivitetit
Për të ushtruar këtë veprimtari ekonomike, lind detyrimi për t’u regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Regjistrimi bëhet online nga shërbimet që ofrohen në e-Albania, para fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, dhe personi fizik apo entiteti pajiset me certifikatën e regjistrimit, ku përcaktohet: NUIS/NIPT unik, emri tregtar i subjektit/personit dhe adresa e selisë.
Nëse do të kërkoni të ndryshoni diçka nga të dhënat e regjistrimit, çdo ndryshim përsëri bëhet online nëpërmjet shërbimeve që ofron QKB-ja nga portali e-Albania.
Pas miratimit të regjistrimit nga QKB, të dhënat e subjektit/tatimpaguesit transmetohen menjëherë elektronikisht në dosjen tuaj në Sistemin Tatimor.
Detyrimet që burojnë nga legjislacioni tatimor
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, personat/subjektet tatimpagues duhet të përmbushin edhe detyrimet tatimore që lindin nga zbatimi i legjislacionit tatimor.
a-Ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, konktetisht;
- Për personat fizikë- tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi apo punësimi, dhe
- Për entitetet – tatimi mbi të ardhurat e korporatës
- Për personat fizikë dhe entitetet- tatimin në burim mbi ardhurat apo pagesat e kryera për palë të treta
Shënim: Këta përsona aktualisht përfitojnë lehtësira për nivele të caktuara të ardhurash, por dhe për periudha të caktuara vitesh. (më hollësisht referoju udhëzuesve të publikuar në faqen zyrtare, sipas personave fizikë dhe entiteteve)
b-Ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në RSH”, i ndryshuar, konkretisht;
- Detyrohesh të regjistrohesh në TVSH, nëse qarkullimi vjetor kalon 10 milon lekë,
- Detyrohesh të regjistrohesh në TVSH, nëse kryhen importe pavarësisht nga qarkullimi vjetor, dhe
- Regjistrohesh në TVSH, nëse e kërkon vetë personi pavarësisht nga qarkullimi vjetor.
Shënim: Më hollësisht referoju udhëzuesve të publikuar në faqen zyrtare, sipas personave fizikë dhe entiteteve.
c-Ligjit nr. 9136/ 2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve”, i ndryshuar, konkretisht;
- Të deklarosh veten dhe gjithë të punësuarit në listpagesën e muajit përkatës,
- Të llogarisësh, për vete dhe të punësuarit detyrimet për kontributet dhe të kryhesh pagesat sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Shënim: Më hollësisht referoju udhëzuesve të publikuar në faqen zyrtare, sipas personave fizikë dhe entiteteve.
d-Ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe Sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ndryshuar, konkretisht;
- Fisaklizimit të biznesit dhe blerja e një pajisje fiskale,
- Leshimi i faturave të shitjes dhe fiskalizimi i tyre,
- Pranimi i faturave të blerjes nëpërmjet platformës dhe pajisjes fiskale.
Shënim: Më hollësisht referoju udhëzuesve të publikuar në faqen zyrtare, sipas personave fizikë dhe entiteteve.
e-Ligjit nr. 9632/2006, “Për sistemin e taksave vendore.”, i ndryshuar, konkretisht;
- Tarifat dhe taksat vendore që lindin për tu paguar mbas regjistrimit të aktivitetit në QKB.
Shënim: Personi duhet të paraqitet pranë njësisë vendore përkatëse ku ka selinë e biznesit/aktivitetit.

