Blerim Skoro, një refugjat nga Kosova që për rreth një dekadë ndihmoi Shtetet e Bashkuara në parandalimin e sulmeve terroriste pas 11 Shtatorit, ndodhet i ndaluar në një qeli në New Jersey. Ai thotë se nuk e kupton pse.
Një ish-informator i CIA-s, i cili pretendon se është infiltruar në rrjetet e Al-Kaedës dhe ISIS-it, është ndaluar nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe përballet me rrezikun e dëbimit nga SHBA.
Bëhet fjalë për Blerim Skoron, 55 vjeç, refugjat nga Kosova, i cili sipas rrëfimit të tij luajti një rol të rëndësishëm në parandalimin e planeve terroriste pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001.
Skoro pretendon se ka punuar për shërbimet amerikane të inteligjencës për gati një dekadë, duke rrezikuar jetën për t’u infiltruar në kampet e Al-Kaedës në Pakistan gjatë operacionit për gjurmimin e Osama bin Ladenit.
Ai u bë një informator i rëndësishëm për inteligjencën amerikane dhe thotë se misionet e tij e çuan në disa prej zonave më të rrezikshme të Lindjes së Mesme. Sipas tij, informacionet që përcillte ndihmuan në parandalimin e furnizimit me armë të grupeve xhihadiste.
Arrestimi në një takim rutinë me autoritetet
Pasi i dha fund punës si informator në vitin 2010, Skoro thotë se shërbimet amerikane i premtuan se do t’i siguronin qëndrimin e përhershëm në SHBA.
Por më 3 gusht të këtij viti, ai u arrestua nga agjentët e ICE, ndërsa ishte paraqitur në New Jersey për një takim rutinë biometrik, në kuadër të rinovimit të lejes së punës.
Skoro, baba i tre fëmijëve dhe aktualisht shofer taksie, kishte marrë në vitin 2022 leje për të qëndruar në SHBA në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës.
Ai kishte argumentuar me sukses se kthimi i tij në Kosovë do ta vinte në rrezik jetën, për shkak të punës së tij të fshehtë me grupet xhihadiste.
“Kam punuar për CIA-n dhe kam bërë të gjitha këto gjëra për këtë vend dhe tani jam këtu”, tha Skoro për The Times, nga qendra e paraburgimit të ICE në Elizabeth, New Jersey.
“Shkova në zyrë për takimin tim të planifikuar, u dorëzova lejen e punës dhe patentën e drejtimit dhe papritur më vunë prangat. Nuk ka kuptim”, tregoi ai.
“Kam një karakter shumë të fortë, kam qenë në luftë dhe kam trajnim ushtarak, por këtë herë ndihem sikur më kanë goditur me çekiç”, shtoi Skoro.
Si u rekrutua nga CIA
Skoro thotë se u rekrutua nga CIA vetëm një ditë pas sulmeve të 11 Shtatorit, ndërsa po vuante një dënim shtatëvjeçar për trafik droge në burgun federal FCI Allenwood, në Pensilvani. Ai kishte mbërritur në SHBA në vitin 1994, ku kishte kërkuar azil pasi ishte larguar nga ushtria e atëhershme jugosllave.
Sipas rrëfimit të tij, në fund të viteve 1990 ai u përfshi për një periudhë të shkurtër në trafikun e narkotikëve për të mbështetur fëmijët e vegjël dhe prindërit e tij refugjatë, të cilët kishin ikur nga konflikti në Kosovë.
“E konsideroja veten fillimisht një patriot të Amerikës dhe më pas mysliman. Doja t’ia ktheja këtij vendi atë që kishte bërë për mua”, tha ai në një intervistë të mëparshme.
Për CIA-n, profili i tij ishte i përshtatshëm. Si shqiptar i Kosovës dhe mysliman, ai kishte njohuri kulturore dhe fetare që mund ta ndihmonin të depërtonte në rrjetet xhihadiste.
Misionet në Al-Kaedë dhe ISIS
Skoro pretendon se, ndërsa ishte ende në burg, filloi t’u jepte FBI-së dhe CIA-s informacione për bashkëvuajtësit e tij, mes tyre edhe Mokhtar Haouari, një algjerian i lidhur me të ashtuquajturin “Millennium Plot”, një plan për të sulmuar aeroportin e Los Anxhelosit.
Më pas, aktiviteti i tij si informator e çoi në misione në Afganistan, Siri, Irak, Jemen dhe në vende të ndryshme të Ballkanit. Ai pretendon se u infiltrua në kampet e Al-Kaedës në Pakistan gjatë kërkimit të Osama bin Ladenit dhe se më vonë ndihmoi në zbulimin e planeve terroriste të ISIS-it në Siri.
Sipas Skoros, ai u kishte dhënë autoriteteve amerikane informacione për bin Ladenin, planet terroriste, rrjetet e armëve dhe financimin e grupeve terroriste. Ai nuk arriti kurrë të takohej drejtpërdrejt me bin Ladenin, pavarësisht disa premtimeve se do të mund ta takonte.
Megjithatë, pretendon se fitoi besimin e disa prej drejtuesve të lartë të Al-Kaedës, të cilët e ngarkuan me sigurimin dhe kontrabandimin e armëve, përfshirë raketa kundërajrore, “Stinger” dhe raketahedhës, për grupet xhihadiste në Ballkan.
Sipas rrëfimit të tij, ai informoi CIA-n dhe autoritetet amerikane arritën të bllokonin dërgesën. Skoro thotë gjithashtu se ndihmoi në interceptimin e ngarkesave me uranium drejt Kosovës, duke parandaluar atë që ai e përshkruan si një plan të mundshëm për një “bombë të pistë”.
U qëllua gjatë një misioni
Në vitin 2010, Skoro thotë se po udhëtonte drejt një shtëpie të sigurt të CIA-s në Maqedoni, kur u zu në pritë dhe u qëllua me armë. Sipas tij, në vend që të dërgohej në SHBA për sigurinë e tij, iu dha një shumë parash në një zarf dhe iu kërkua të kthehej në Kosovë.
I zhgënjyer nga pritja për një leje qëndrimi në SHBA, Skoro vendosi të largohej drejt Kanadasë. Në vitin 2015, ai kaloi ilegalisht kufirin nga Kanadaja në SHBA për t’u ribashkuar me familjen.
Ai u arrestua më pas nga agjentët e emigracionit pasi kishte përdorur kartën e transportit “Metro” të vajzës së tij në metro. Qëndroi gjashtë muaj në paraburgim federal dhe u lirua në vitin 2016.
Pas një beteje gjashtëvjeçare në gjykatat e emigracionit, në vitin 2022 Skoro fitoi të drejtën për të qëndruar në SHBA në bazë të Konventës së OKB-së kundër Torturës.
Vendimi nënkupton se ai nuk mund të deportohet në Kosovë, por teorikisht mund të dërgohet në një vend të tretë të sigurt, përfshirë Shqipërinë ose një shtet tjetër europian që do të pranonte ta merrte.
“Më premtuan qëndrim në SHBA”
Skoro pretendon se autoritetet amerikane i kishin premtuar status të ligjshëm në SHBA pas viteve të punës së tij për inteligjencën.
Në një kërkesë të depozituar më 17 gusht në gjykatën federale të New Jersey-t, ai shkroi se qeveria amerikane “nuk i kishte përmbushur detyrimet” për t’i dhënë statusin e emigracionit që, sipas tij, i ishte premtuar.
“Kam jetuar në mënyrë produktive dhe të lumtur në Shtetet e Bashkuara. Jam shofer dhe punoj shumë, deri në 70 orë në javë, për të mbështetur familjen time”, shkroi ai.
Skoro i kërkon gjykatës lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi i ICE dhe pezullimin e çdo procedure dëbimi. Avokatët e tij kanë paraqitur një kërkesë për habeas corpus, duke kërkuar lirimin e tij dhe ndalimin e dëbimit.
“Nëse mendojnë se do të hesht, gabohen”
I ndaluari thotë se ka tentuar t’u shpjegojë agjentëve të ICE historinë e tij dhe punën që pretendon se ka kryer për CIA-n.
“Po i thosha oficerit: ‘Kërko emrin tim në Google dhe shiko kush jam’. Ai më tha: ‘E di kush je, por më vjen keq, duhet të bëj punën time’”, tregoi Skoro.
Ai thotë se ka dëgjuar gjithashtu një prej drejtuesve të agjentëve të thoshte se nuk e kuptonte përse presidenti amerikan do të donte të burgoste dikë që kishte shërbyer për vendin për një dekadë.
“Nëse mendojnë se do të hesht, gabohen. Nuk mund ta pranoj që kjo po më ndodh. Çfarë mesazhi u dërgon kjo njerëzve që mendojnë të punojnë me CIA-n? Tregon se nuk do të mbrohesh, nuk do të kujdesen për ty dhe nuk do të të ofrojnë strehim. Jam tradhtuar”, u shpreh ai.
Avokatja e tij pro bono, Renee Kathawala, e cilësoi Skoron si shembull të kontributit që emigrantët mund t’i japin SHBA-së.
“Blerimi është fytyra e arsyes pse emigracioni është një forcë kaq pozitive në vendin tonë. Ai është patriot, sakrifikoi jetën e tij për ne dhe iu përkushtua punës më të vështirë të mundshme”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, që mbikëqyr ICE-n, nuk ka dhënë koment lidhur me rastin.
Për momentin, Blerim Skoro mbetet në paraburgim, ndërsa beteja e tij ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara vijon në gjykatën federale.



