Një reporter i infiltruar, gati një vit hetim dhe katër qytete angleze. Dokumentari i Sky News “The Drug Lords Next Door” rrëfen si rekrutohen shpërndarësit përmes TikTok-ut, si menaxhohen porositë dhe si lidhen disa rrjete të drogës me trafikimin e emigrantëve.
Hetimi nën mbulim
Gazetarët e Sky News dërguan një reporter të infiltruar në disa prej këtyre rrjeteve. Hetimi u zhvillua në Exeter, Wigan, Derbyshire dhe Royal Tunbridge Wells, ndërsa gjurmët çuan deri në Spanjë dhe Shqipëri.
Në Exeter, një person i quajtur “Leo” i ofroi reporterit vend për të fjetur, një listë çmimesh për kokainën dhe mundësinë për të nisur menjëherë si shpërndarës. Biseda u zhvillua në një kafene publike, ku ai shpjegoi çmimet, zbritjet për blerjet e mëdha dhe si organizohet shpërndarja. Nuk e dinte se po fliste me një gazetar dhe se po regjistrohej.
Rekrutimi në TikTok
Sipas hetimit, një pjesë e rekrutimit bëhet në TikTok, me njoftime në shqip për “punë me pagë të lartë”. Disa paraqiten si oferta për shoferë, me karburant dhe akomodim të paguar, pa e thënë qartë se çfarë pune është. Gazetarët identifikuan edhe simbole që dyshohet se përdoren si kode për kokainën.
Në Wigan, reporterit iu ofruan 280 paund në ditë, në dorë, për të shpërndarë kokainë.
“Telefoni i porosive”, vlerë 300 mijë paund
Zemra e biznesit janë të ashtuquajturit “deal phones”, telefonat ku klientët bëjnë porositë. Drejtuesit e rrjeteve i kontrollojnë dhe u dërgojnë shpërndarësve adresat e klientëve, të cilët dorëzojnë drogën dhe mbledhin paratë. Për shkak të kontakteve të mbledhura ndër vite, këta telefona janë pasuri e vërtetë: gazetarët gjetën në TikTok një të tillë që shitej për 300 mijë paund.
Për ta provuar sistemin, një gazetar porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Iu tha se mund t’i vinte brenda 30 minutash.
Lidhja me trafikun e emigrantëve
Hetimi ngre dyshime edhe për bashkëpunim mes rrjeteve të drogës dhe atyre të trafikimit të emigrantëve. Në TikTok, gazetarët gjetën një reklamë në shqip që ofronte transport drejt Europës për persona me probleme me autoritetet britanike. Personi pas njoftimit i ofroi reporterit nxjerrjen e dikujt nga Britania me kamion, për 2,500 paund.
Frank Stewart, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), konfirmoi se ka lidhje mes disa grupeve shqiptare të drogës dhe rrjeteve të emigracionit të paligjshëm.
Dokumentari sjell edhe dëshminë e një shqiptari që mbërriti në Britani me gomone në vitin 2022 dhe më pas punoi në drogë. Ai pretendon se familja ia pagoi udhëtimin me kushtin që të punonte për trafikantët.
Pa ndërmjetës, direkt nga Amerika e Jugut
Sipas Sky News, grupet kriminale shqiptare kanë forcuar pozitat në tregun britanik të kokainës duke u lidhur drejtpërdrejt me furnizuesit në Amerikën e Jugut, pa kaluar përmes ndërmjetësve europianë. Stewart thotë se këto grupe kanë rol të rëndësishëm në kontrollin e importit të kokainës në Britani. Kathryn Westmore nga UK Finance shton se synimi i tyre është të kontrollojnë gjithë zinxhirin, që të maksimizojnë fitimin.
Ish-oficeri i policisë David McKelvey paralajmëron për dhunën që shoqëron këto organizata: rrëmbime, tortura dhe vrasje.
“Shumica nuk kanë asnjë lidhje”
Sky News nënvizon se shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në Britani nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar. Dokumentari “The Drug Lords Next Door” është realizuar nga gazetari Chris Matthews, me Full Story Films dhe Quicksilver Media.



