Kryeministri në largim, Viktor Orbán, ka uruar Peter Magyar për fitoren e tij.
Në një postim në Facebook kreu i opozitës njofton se Orbán i shprehu përgëzimet rivalit të tij politik pas rezultatit të zgjedhjeve.
Sipas projeksioneve, partia Tisza, e drejtuar nga Peter Magyar, është shumë pranë sigurimit të shumicës së cilësuar prej dy të tretash në Parlament. Aktualisht, ajo projektohet të marrë 132 mandate, vetëm një më pak se 133 vendet e nevojshme për të kontrolluar dy të tretat e Kuvendit.
Nga ana tjetër, partia në pushtet Fidesz, e kryeministrit Viktor Orbán, parashikohet të sigurojë vetëm 59 mandate, duke pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me rezultatet e mëparshme.
Numërimi i votave vijon, ndërsa rezultati përfundimtar pritet të përcaktojë nëse opozita do të arrijë shumicën e cilësuar që do t’i mundësonte ndryshime të rëndësishme në drejtimin politik të vendit.

