Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Nisma vjen pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilin PDK e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Sipas PDK-së, projektligji synon ndryshimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Partia deklaron se iniciativa mbështetet në Kushtetutën e Kosovës, Amendamentin nr. 24, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
PDK kërkon që Kuvendi të shqyrtojë nismën dhe dispozitat që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke vënë theksin te respektimi i Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe standardeve për një proces të drejtë gjyqësor.
Partia ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përdorë rrugët demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar vendimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe për të kërkuar ndryshime lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara.



