Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani është i gatshëm të negociojë me presidentin amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit, por sipas tij vendimi për vazhdimin ose jo të luftës është tashmë në duart e Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë për Fox News, Pezeshkian tha se Irani nuk e ka zgjedhur luftën, por është detyruar të mbrohet pas sulmeve ndaj tij.
“Ne nuk e zgjodhëm luftën. Ne u sulmuam dhe duhej të mbroheshim”, deklaroi presidenti iranian.
Ai theksoi se konfliktet ndërkombëtare duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe jo përmes dhunës.
“Kur mund t’i zgjidhim çështjet përmes dialogut, nuk duhet t’i drejtohemi vrasjes së njëri-tjetrit. Por, për shkak të provokimeve të Izraelit, kjo luftë na u imponua”, tha Pezeshkian.
Megjithatë, kreu i shtetit iranian këmbënguli se Teherani nuk dëshiron që lufta të vazhdojë.
“Ne nuk duam të vazhdojmë. Është Amerika ajo që duhet të zgjedhë nëse do t’i japë fund apo jo”, deklaroi ai.
Pezeshkian përsëriti gatishmërinë për një marrëveshje me administratën Trump, nëse negociatat zhvillohen, sipas tij, brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
Ai iu referua gjithashtu dështimit të armëpushimit të mëparshëm, duke pyetur se përse gjithçka ishte prishur vetëm pak kohë pas afrimit drejt një marrëveshjeje.
Gjatë intervistës u prek edhe marrëdhënia e Iranit me Huthit në Jemen.
Pezeshkian mohoi që grupi të marrë urdhra nga Teherani, pavarësisht akuzave të SHBA-së dhe aleatëve të saj për mbështetjen iraniane ndaj lëvizjes.
“Huthit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Ata nuk marrin urdhra nga ne”, deklaroi presidenti iranian.
Ai pranoi se ekzistojnë kontakte me grupin, por mohoi një marrëdhënie të strukturuar komanduese.
“Kemi kontakte me ta, por nuk ekziston një marrëdhënie sistematike”, shtoi Pezeshkian.
Deklaratat vijnë në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme, ndërsa konflikti SHBA-Iran dhe përplasjet e Huthive me forcat e mbështetura nga Arabia Saudite vazhdojnë të jenë në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare.



