Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra sot nga ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, teksa kjo e fundit po i drejtohej GJKKO-së.
Lala i cilësoi akuzat e Hysenit si të pabaza dhe tha se i ka perceptuar ato si një përpjekje për të frikësuar median dhe gazetarët që raportojnë mbi çështjet dhe hetimet që lidhen me ish-kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Përbuz me neveri çdo akuzë. Mu duk si përpjekje e dëshpëruar e zonjës për të më kërcënuar për shkak të detyrës që unë bëj, por që nuk ia doli dot mbanë sepse unë dhe News24 kemi dëshmuar se edhe në momente të vështira raportojmë me profesionalizëm, paanësi dhe integritet”, tha Lala.
Ajo kërkoi gjithashtu një ndjesë publike nga Hyseni.
“Zonja duhet të kërkojë falje publike, është në nderin e saj, në nderin e institucionit që ka drejtuar dhe në nderin e një gruaje që edhe mund të rrisë fëmijë.”
Në reagimin e saj, Lala u ndal edhe te përvoja personale, duke thënë se deklaratat e Hysenit e kishin prekur si nënë, por jo si gazetare.
“Si nënë u lëndova, si gazetare nuk më shqetëson aspak sepse jo Vlora Hyseni, por askush nuk më kërcënon dhe nuk më shantazhon në detyrën time dhe këtë e kam dëshmuar në më shumë se 23 vite punë, edhe kur mbi familjen time, mbi vajzat e mia janë qëlluar plumba dhe kanë vënë në rrezik jetën e tyre.”
Gazetarja tha se do të vijojë të merret me dosjen e Hysenit dhe se po shqyrton edhe ndjekjen ligjore të çështjes.
“Do të vazhdoj të merrem me dosjen dhe aferat e zonjës Hyseni. Është dosja më tronditëse dhe kjo ka tronditur jo vetëm zonjën Hyseni.”
Lala bëri të ditur se ka komunikuar me avokatin Dorjan Matlija për përgatitjen e materialit që mund t’i dërgohet SPAK-ut.
“Kam folur me avokatin Dorjan Matlija për të bërë gati materialin dhe për t’ia dërguar SPAK-ut. Askush nuk mund të më njollosë emrin.”
Në fund, ajo e cilësoi deklaratën e Hysenit si një mesazh që, sipas saj, synonte të frikësonte këdo që mund të fliste publikisht për çështjen.
“Zonjën nuk e nxjerr dot unë nga gjirizi ku është futur, hesapet i ka me drejtësinë dhe jo me median. E pashë si mesazh që i adresohej gjithkujt dhe çdo njeriu që mund të flasë kundër zonjës Hyseni. Ishte një përpjekje e saj e dëshpëruar për të thënë se kam në duar sekrete dhe mund t’ju shantazhoj. Ka kryer një vepër të rëndë penale në dyert e SPAK dhe GJKKO”, tha Lala.
Deklaratat e mësipërme përfaqësojnë qëndrimin publik të Klodiana Lalës ndaj Hysenit dhe pretendimet e saj për natyrën e mesazheve të bëra sot.



