Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një pikë kyçe të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, pasi Teherani ka kufizuar ndjeshëm një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, i arritur të martën, përfshin kushtin për garantimin e “kalimit të sigurt” përmes kësaj rruge të ngushtë ujore.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Anijet që ndodhen në zonë kanë marrë mesazhe paralajmëruese se mund të “shënjestrohen dhe shkatërrohen” nëse tentojnë të kalojnë pa leje. Si pasojë, vetëm pak anije kanë arritur të përshkojnë ngushticën gjatë tre ditëve të fundit.
Sipas të dhënave të analizuara nga BBC Verify, deri në orën 17:00 të datës 10 prill, vetëm 19 anije janë regjistruar duke kaluar përmes ngushticës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Prej tyre, katër ishin cisterna që transportonin naftë, gaz apo kimikate, ndërsa pjesa tjetër ishin anije transporti dhe kontejnerësh.
Ky numër është dukshëm më i ulët krahasuar me mesataren prej 138 anijesh në ditë që kalonin në këtë rrugë përpara nisjes së konfliktit më 28 shkurt.
Ndërprerjet në lëvizjen detare gjatë pesë javëve të fundit kanë shkaktuar valë tronditjeje në ekonominë globale, duke destabilizuar çmimet e energjisë dhe duke nxjerrë në pah varësinë e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit nga kjo rrugë strategjike që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian.
Analistët e transportit detar paralajmërojnë se pronarët e anijeve do të tregohen të kujdesshëm derisa situata të qartësohet.
“Shumica e kompanive të transportit duan garanci të qarta për kushtet e kalimit, por këto ende mungojnë,” deklaroi Lars Jensen nga Vespucci Maritime për BBC.
Edhe Richard Meade, kryeredaktor i Lloyd’s List, e cilësoi periudhën si “shumë të rrezikshme”, duke theksuar pasigurinë e madhe për operatorët detarë.
Sipas tij, Irani vazhdon të ketë kontroll efektiv mbi ngushticën, dhe mbetet e paqartë se si do të funksionojë kërkesa për leje nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC).
Analiza e lëvizjes së anijeve tregon se ato po ndjekin një itinerar më verior, pranë brigjeve iraniane dhe brenda ujërave territoriale të vendit. Para konfliktit, rruga zakonisht kalonte më në jug, në mes të ngushticës.
Ndërkohë, rreth 800 anije kanë mbetur të bllokuara në zonë për javë të tëra. Shumica prej tyre janë të ngarkuara me mallra dhe prioriteti mbetet nxjerrja e tyre sa më shpejt.
Ekspertët paralajmërojnë se kohëzgjatja e shkurtër e armëpushimit, vetëm dy javë, mund të pengojë rifillimin normal të trafikut, pasi kompanitë nuk duan të rrezikojnë të mbeten të bllokuara sërish.
Një tjetër shqetësim është rreziku i minave detare dhe siguria e lundrimit, për të cilat kërkohen garanci të qarta ndërkombëtare.
Gjithashtu, raportimet sugjerojnë se anijet mund të detyrohen të paguajnë tarifa për të kaluar përmes ngushticës, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas analistëve, një kërkesë e tillë mund të krijojë probleme ligjore, pasi pagesat ndaj subjekteve iraniane mund të bien ndesh me sanksionet amerikane, duke ekspozuar kompanitë ndaj pasoja të tjera.
Në javët e fundit, disa vende si India, Malajzia dhe Filipinet kanë arritur të negociojnë kalim të sigurt për anijet e tyre, por situata mbetet e paqartë për pjesën tjetër të industrisë globale të transportit detar.

