Lokalet e natës në kryeqytet, kryesisht ato subjekte që operojnë në zonën e ish-Bllokut janë bastisur mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës ku dhe janë ekzekutuar 9 masa sigurie nga 11 të lëshuara nga Gjykata e Tiranës.
Në pranga kanë rënë 9 administratorë e punonjës të clubeve të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, si kokainë e ekstazi brenda në lokale. 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërkohë 2 persona të tjerë janë arrestuar më parë në kuadër po të këtij operacioni.
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Enis Haxhiaj, Akil Ndreu, Klevis Maqellari, Raul Loka, Endrijus Shaliu, Ergi Hasani, Migert Balla, Arli Gjokmeli dhe Fradjo Keli. Si dhe u arrestua flagrancë shtetasi Orges (Dritan) Jahelezi.
Gjatë periudhës hetimore janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
Ekstazia përgatitej në Tiranë. Në kuadër të këtij hetimi më herët më 6 shkurt policia kishte vënë në pranga Elvis dhe Bujar Lezo të cilët një banesë në zonën e Ali Demit në Tiranë e kishin shndërruar në laborator ku me anë të përzierave kimike prodhonin tableta ekstazi.
Njoftimi i plotë
Finalizohet, pas disa muajsh hetimesh me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Night Clubs”.
Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 11 shtetas, punonjës e administratorë të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në brendësi të ambienteve ku ushtronin aktivitetin.
Nga 11 masa sigurie të caktuara nga Gjykata, u ekzekutuan 9 masa sigurie “Arrest në burg”.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë. Ndërkohë, 2 shtetas të tjerë janë arrestuar më parë, gjatë periudhës hetimore.
Arrestohet në flagrancë edhe një 49-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.
Gjatë periudhës hetimore janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Night Clubs” u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
E. H., 39 vjeç; A. N., 37 vjeç; K. M., 30 vjeç; R. L., 29 vjeç; E. S., 34 vjeç; E. H., 26 vjeç; M. B., 31 vjeç; A. Gj., 36 vjeç dhe F. K., 32 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, punonjës ose administratorë lokalesh, shpërndanin doza të drogave të forta në ambientet e brendshme të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën doza të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 11 aparate celularë.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 2200 tableta ekstazi (MDMA).
2 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi O.(D). J., 49 vjeç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

