Operacioni i forcave speciale amerikane për shpëtimin e ekuipazhit të një avioni luftarak të rrëzuar në Iran rezulton një nga ndërhyrjet më të kushtueshme të viteve të fundit.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, misioni përfshiu dhjetëra avionë dhe qindra trupa speciale, të angazhuara në një operacion kompleks brenda territorit iranian.
Gjatë ndërhyrjes, të paktën dy avionë specialë të tipit MC-130, me vlerë mbi 100 milionë dollarë secili, u vetëshkatërruan nga vetë forcat amerikane për të mos rënë në duart e Iranit. Kjo u bë pasi mjetet pësuan probleme dhe nuk mund të largoheshin nga zona e operacionit.
Raportime të tjera tregojnë se mjete të tjera ajrore janë dëmtuar gjatë operacionit, ndërsa Irani pretendon se ka rrëzuar disa avionë dhe helikopterë, pretendime që mbeten të pakonfirmuara.
Operacioni u përmbyll me sukses me shpëtimin e të dy anëtarëve të ekuipazhit, por me një kosto që mendohet të arrijë në qindra milionë dollarë.

